Rama: Hekuran Murati po shantazhon institucionalisht Prishtinën – hipokrizia juaj ka kaluar çdo kufi
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili shprehu shqetësim për mundësinë e “rrezikimit të buxhetit të shtetit” në rast të mosformimit të qeverisë. Rama e ka cilësuar këtë qëndrim si “hipokrizi të skajshme” duke e akuzuar Muratin për bllokim të qëllimshëm të buxhetit të Kryeqytetit për më shumë se një vit.
“Hipokrizia juaj ka kaluar çdo kufi! Hekuran, të flasësh ti për ‘rrezikim të buxhetit’ dhe ‘interes të shtetit’ është qesharake. Ti që prej 11 muajsh e ke bllokuar buxhetin e Kryeqytetit, i ke ndal projektet kapitale, i ke bllokuar investimet e huaja dhe madje i ke bllokuar edhe të hyrat vetanake të qytetarëve, vetëm pse Prishtina nuk ju bindet politikisht. Kjo nuk është politikë, ky është shantazh institucional,” ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës kujtoi se kryeqyteti kontribuon mbi 49.8% të të hyrave tatimore të Kosovës duke e akuzuar qeverinë për bllokim të qëllimshëm të komunave që nuk udhëhiqen nga Vetëvendosje.
“Ju po e bllokoni pikërisht komunën që mban financiarisht shtetin, për të cilin sot dilni e shisni moral të rremë. Këtë e vërtetoi edhe raporti i International Crisis Group, i cili thotë qartë se Qeveria ka bllokuar komunat që nuk qeverisen nga VV,” theksoi Rama.
Ai e mbylli reagimin me tone të forta politike duke akuzuar Qeverinë Kurti për futjen e vendit në krizë institucionale dhe ekonomike: “Mos u lodhni duke ia hedhur fajin të tjerëve, Kosovën e keni futur në krizë prej 9 shkurtit. Paaftësia juaj është problem, por dashakeqësia juaj është rrezik kombëtar. Patetikë jeni kur hiqeni si shpëtimtarë, ndërkohë që vetë e keni futur Kosovën në krizë.” /Kosova.info/
