Rama hedh në Kushtetuese bllokimin e buxhetit: Goditje politike ndaj Kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna ka dorëzuar një kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese pas, siç e cilëson ai, bllokimit arbitrar të buxhetit të Kryeqytetit nga Ministria e Financave.

Sipas Ramës, ky veprim i paprecedentë ka vënë në rrezik funksionimin normal të shumë shërbimeve bazë për qytetarët e Prishtinës duke përfshirë pastërtinë, sigurinë sociale, mirëmbajtjen e infrastrukturës si dhe pagesat për punëtorët dhe kontraktuesit.

Ai e ka quajtur këtë situatë një “goditje politike ndaj Kryeqytetit dhe qytetarëve të tij”, e cila, sipas tij, është e papranueshme. Për këtë arsye, Komuna i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur ligjshmërinë, pavarësinë institucionale të komunave dhe të drejtat e qytetarëve.

Rama kërkoi vendimmarrje të shpejtë dhe të drejtë duke theksuar se Prishtinës i nevojiten zgjidhje dhe jo pengesa artificiale, në mënyrë që të rikthehet stabiliteti financiar dhe të vazhdojë zbatimi i projekteve për qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP