Rama diskuton në Washington: Prishtina kërkon investime amerikane dhe denoncon bllokimin e buxhetit nga Qeveria
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me Jeremy Long, Zëvendësdrejtor në Zyrën për Çështjet e Evropës Qendrore në Departamentin e Shtetit Amerikan, ku ka prezantuar vizionin e tij për zhvillimin e Kryeqytetit në katër vitet e ardhshme dhe sfidat e mëdha me të cilat po përballet Komuna e Prishtinës.
Rama ka theksuar se një nga pengesat më serioze mbetet bllokimi i vazhdueshëm i buxhetit nga Qeveria Qendrore duke e konsideruar këtë një barrierë që po e ngadalëson funksionimin e projekteve publike dhe zhvillimin urban të kryeqytetit. Ai ka nënvizuar se Prishtina ka nevojë për mbështetje institucionale, jo pengesa administrative që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Në bisedën me zyrtarin amerikan u trajtuan edhe mundësitë e mëdha që ofron Prishtina për investitorët nga SHBA, veçanërisht në prag të Lojërave Mesdhetare 2030. Rama ka potencuar se energjetika alternative, infrastruktura moderne dhe projektet strategjike zhvillimore janë fushat ku partneriteti me kompanitë amerikane mund të sjellë investime të rëndësishme dhe transformim real.
Kryetari ka paralajmëruar gjithashtu se shumë shpejt Prishtina do të organizojë një konferencë të veçantë për investitorët amerikanë, ku do të prezantohen projektet prioritare dhe mundësitë për bashkëpunim. Ai theksoi se Kryeqyteti mbetet i hapur dhe i gatshëm për ndërtimin e partneriteteve të reja që e afrojnë Prishtinën me standardet e një metropoli modern.
Në fund, Rama e shoqëroi mesazhin me simbolet e Kosovës dhe SHBA-ve duke riafirmuar miqësinë dhe partneritetin e qëndrueshëm mes dy vendeve. /Kosova.info/
