Rama: Çdo armë ilegale e konfiskuar është një jetë e shpëtuar

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim koordinues me Policinë e Kosovës dhe drejtorin për Siguri dhe Emergjenca të Komunës, për të adresuar situatën e fundit të sigurisë në kryeqytet. Rama tha se mbështet plotësisht veprimet e policisë dhe institucioneve të rendit për identifikimin, sekuestrimin dhe shkatërrimin e armëve ilegale, duke theksuar se parandalimi është po aq i rëndësishëm sa veprimi pas ngjarjeve.

Ai prezantoi rëndësinë e Strategjisë për Armët e Lehta dhe të Vogla 2024–2028, e bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet e OKB-së e BE-së, e cila synon parandalimin e përhapjes së armëve ilegale, reduktimin e stokut përmes dorëzimit vullnetar dhe operacioneve policore, luftimin e kontrabandës dhe ndëshkimin e rreptë të shkelësve të ligjit.

Rama apeloi qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet, të raportojnë rastet e dyshimta dhe të refuzojnë çdo praktikë që normalizon mbajtjen e armëve. “Çdo armë ilegale e konfiskuar është një jetë e shpëtuar, një familje më e sigurt dhe një hap më afër një shoqërie pa dhunë të armatosur,” u shpreh ai. /Kosova.info/


Go to TOP