Rama Anuzis: Angazhim për bashkëpunim ndërkombëtar kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në Odën e Kryeqytetit zyrtarin e lartë të Partisë Republikane të SHBA-së, Saul Anuzis, ish-Kryetar i Partisë për shtetin e Miçiganit dhe aktualisht Kryetar i Fondacionit 60Plus. Anuzis mbetet një nga figurat me ndikim brenda Partisë Republikane dhe është i njohur për përfshirjen e tij në çështje politike dhe sociale me rëndësi globale.
Gjatë takimit, Rama vuri në pah problemin e ndotjes së ajrit në Prishtinë duke theksuar se ky fenomen, ndonëse me përmasa globale, ka pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin e Kryeqytetit.
“Ajri i ndotur është një kërcënim aktual dhe afatgjatë për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Prandaj, do të angazhohemi në krijimin e një bashkëpunimi ndër-institucional dhe ndërkombëtar me ekspertë dhe aktorë të tjerë që disponojnë përvojën dhe njohuritë e nevojshme për të menaxhuar këtë sfidë”, tha Rama.
Ai theksoi se përmes alternativave të qëndrueshme dhe inovative, synohet ulja e ndotjes së ajrit dhe përmirësimi i cilësisë së jetës në Prishtinë.
Në fund, Rama shprehu shpresën se do të ketë mbështetje të fuqishme edhe nga niveli qendror për të ndërtuar një qasje të koordinuar dhe të qëndrueshme në përballjen me ndotjen e ajrit duke synuar një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës. /Kosova.info/
