Rama: Amaneti i Rugovës për Shqipërinë Etnike u faktua në zemër të Dardanisë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përuruar ekspozitën dhe publikimin e veprës monumentale “Mapping Ethnic Albania”, një atlas historik me mbi 200 harta të Shqipërisë Etnike të ruajtura në arkivat më të famshme të botës.
Në një deklaratë emocionuese, Rama theksoi se ky projekt i jep vulën një amaneti të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili që nga viti 1996 kishte ëndërruar që kjo ide të marrë formë të dokumentuar dhe të pranishme në vetë zemrën e Dardanisë – në Prishtinë.
“‘Mapping Ethnic Albania’ nuk është thjesht një libër. Është një atlas i ndërgjegjes sonë kombëtare, një dëshmi që sfidon harresën dhe mohimin”, tha Rama, duke vlerësuar punën titanike të studiuesit Bejtullah Destani, i cili e realizoi këtë projekt pa zhurmë, por me përkushtim të jashtëzakonshëm.
Sipas tij, ky botim përmbledh harta të ruajtura në arkiva nga Londra në Paris, nga Stambolli në Gjenevë, nga Madridi në Washington, duke i dhënë zë të vërtetës historike shqiptare përmes dokumenteve të pakontestueshme.
Kryetari i Prishtinës shtoi se kryeqyteti ka obligim moral e historik që të nderojë të kaluarën përmes fakteve, duke ndërtuar një të ardhme me vetëdije dhe krenari kombëtare.
