Rama akuzon Muratin për bllokim të buxhetit të Prishtinës: Po rrezikon ushqimin e fëmijëve dhe shërbimet publike

Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati duke e akuzuar se ka bllokuar të hyrat vetanake të Komunës së Prishtinës dhe mjetet buxhetore të dedikuara për qytetarët e kryeqytetit.

Në një reagim publik, Rama e ka cilësuar këtë veprim si të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm duke theksuar se për shkak të tij po rrezikohen ushqimi i fëmijëve në shkolla, shërbimet emergjente e shëndetësore, transporti publik dhe pagesat për familjet në nevojë.

“HEKURAN, I KE BLLOKUAR TË HYRAT VETANAKE QË I PAGUAJNË QYTETARËT E KRYEQYTETIT! Edhe PO FLET A?! Me këtë veprim po rrezikon jetën dhe shërbimet bazike të qytetarëve,” ka shkruar Rama duke shtuar se kjo është bërë për të ndihmuar “kolegët e tij politikë që kanë bllokuar çdo projekt transformues në Prishtinë.”

Ai ka publikuar disa pika me të cilat kundërshton deklaratat e ministrit Murati duke theksuar:

35 milionë euro të bllokuara nga Ministria e Financave janë mjete të aprovuara me Ligjin e Buxhetit për vitin 2025, përfshirë grantin qeveritar dhe të hyrat vetanake;

28.6 milionë euro të bartura nga viti i kaluar nuk janë kaluar në Kuvend për miratim për shkak të mosvotimit nga LVV dhe PDK;

Të hyrat nga Policia dhe Gjykatat për tremujorin e fundit nuk mund të pranohen nga Komunat para datës 31 dhjetor — një praktikë ligjore që ka ekzistuar gjithmonë;

Mosalokimi i mjeteve vetanake është shkelje kushtetuese, pasi cenon autonominë financiare të Komunës së Prishtinës.

“Pengesat nuk vijnë nga Komuna e Prishtinës, por nga vendimet e padrejta dhe të vonuara të Ministrisë së Financave dhe nga bllokimi politik në Kuvend,” theksoi Rama duke kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të mjeteve për të siguruar vazhdimësinë e projekteve dhe shërbimeve publike.

Në fund, ai ironizoi me ministrin Murati duke i drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë:

“Apo thjesht ti ministër nuk e di, siç është dëshmuar disa herë që nuk e din punën tënde!” /Kosova.info/


Go to TOP