Qyteti ‘ferr’: Beteja për kontrollin e Severodonjeckut
Ndërsa forcat ruse lëvizën për të rrethuar dy qytete kyçe në Donbas, ku Moska ka përqendruar fuqinë e saj ushtarake, Ukraina e përshkroi situatën në qytetin industrial lindor të Severodonjeckut si si “ferr”.
“Për katër muaj, të gjitha pozicionet tona kanë qenë nën sulme me të gjithë artilerinë — dhe unë vetëm dua ta theksoj këtë — me të gjitha armët që ka ushtria ruse”, tha guvernatori rajonal i Luhanskut, Serhiy Hayday, në një deklaratë në mediat sociale. “Është vetëm ferr atje”, shtoi ai, duke iu referuar Severodonjeckut, i cili është granatuar rëndë për javë të tëra nga forcat ruse që përpiqen të marrin kontrollin e plotë të qytetit.
Trupat ukrainase po luftojnë për t’u rifurnizuar nën breshërinë e artilerisë ruse dhe shkatërrimin së fundi të tri urave që lidhnin qytetet binjake të Severodonjeckut dhe Lisiçanskut. Ukraina nuk ka publikuar shifra zyrtare të viktimave, të cilat i mban sekret, por zyrtarë të ndryshëm, përfshirë presidentin, Volodymyr Zelenskiy, kanë sugjeruar se rreth 100 ushtarë ukrainas po vriten çdo ditë. Një fotoreporter i agjencisë Reuters shoqëroi ushtarët ukrainas më 20 qershor ndërsa ata zhvilluan luftime për së afërmi në Severodonjeck.

Në fillim të këtij muaji, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, e përshkroi betejën për qytetin lindor si “një nga më të vështirat” e luftës, ndërsa theksoi rëndësinë e saj në rajonin kyç të Donbasit. Ai shtoi, “Në shumë mënyra, fati i Donbasit tonë po vendoset atje.”

Forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë Donbasin, duke u përpjekur të rrethojnë edhe pjesët e fundit të rezistencës ukrainase në qytetet e rrethuara të Lisiçanskut dhe Severodonjeckut.








