Qytetari në Pejë dorëzon në polici kuletën me mbi 1000 dollarë
Një akt i ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare është shënuar sot në qytetin e Pejës, kur qytetari Gjelal Mulaj ka dorëzuar në polici një kuletë të humbur që e kishte gjetur në një qendër tregtare.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në kuletë gjendeshin 1,020 dollarë amerikanë, 56 euro e 15 centë si dhe një kartelë identifikuese. Pas dorëzimit të kuletës në Stacionin Policor të Pejës, zyrtarët policorë kanë bërë identifikimin e pronarit të saj dhe e kanë kontaktuar për t’ia kthyer mjetet dhe dokumentet.
“Policia ka identifikuar dhe ka kontaktuar personin të cilit i kishte humbur kuleta. I njëjti është ftuar në Stacionin Policor Pejë dhe nga zyrtarët policorë iu është kthyer kuleta së bashku me të hollat”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarin për veprimin dhe nivelin e lartë të përgjegjësisë qytetare.
