Qirezi: Kosova më mirë pa Kurtin – vendi ka nevojë për një lëvizje të re politike

Analisti politik Arben Qirezi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe akuzave për manipulim të votave, duke theksuar se situata aktuale tregon degradim serioz të skenës politike në vend.

Sipas Qirezit, numri i madh i votave të vjedhura dëshmon se një pjesë e deputetëve që shfaqen çdo ditë në media nuk janë përfaqësues të interesit qytetar, por “servilë të udhëheqësve partiakë, njerëz të korruptuar dhe matrapazë që shërbejnë vetëm interesave personale”.

Ai shprehet veçanërisht i zhgënjyer nga manipulimet që, sipas tij, kanë ardhur edhe nga radhët e opozitës.

“Nëse opozita pretendon se pushteti është i pandershëm, atëherë ajo duhet të jetë e ndershme në vota dhe t’i dërgojë në Kuvend deputetët më meritorë. Ky manipulim tregon jo vetëm pandershmërinë e pushtetit, por edhe paaftësinë e opozitës për të ndërtuar një alternativë serioze qeverisëse”, ka deklaruar Qirezi.

Sipas analistit, situata aktuale politike rrezikon që Kosovën ta mbajë për një kohë të gjatë nën një “kuaziqeverisje”, duke pamundësuar ndryshimin dhe progresin e vërtetë. Ai vlerëson se partitë aktuale opozitare nuk janë në gjendje të zhvillojnë një opozitë të mirëfilltë dhe të efektshme ndaj qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Me këtë opozitë të dobët dhe të diskredituar, kjo qeverisje e dëmshme do të vazhdojë edhe për shumë vite. Prandaj, ka ardhur koha për një lëvizje të re politike, e cila do të ishte në gjendje ta rrëzojë këtë kuaziqeverisje dhe t’i hapë Kosovës rrugën e progresit të vërtetë dhe të mirëqeverisjes”, thekson Qirezi.

Në përfundim, ai nënvizon se “Kosova është më mirë pa Kurtin”, duke kërkuar një alternativë të re politike që do t’i rikthente shpresën qytetarëve dhe do të garantonte zhvillim demokratik dhe institucional të vendit.

Go to TOP