Qeveria po i injoron komunat, s’dihet nëse do të ketë ashpërsim të masave

Sot Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos injorojë nivelin lokal sa i përket diskutimeve për situatën me COVID-19 në vend.

Kjo për shkak se AKK-ja nuk ka qenë e ftuar në takimin e Komitetit anti-COVID, e që nga AKK-ja është cilësuar si “injorim i nivelit lokal në këtë çështje”.

Drejtori ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka folur edhe për masat që mund të ndryshohen pas rritjeve të rasteve me COVID-19.

Ai ka thënë se aktualisht nuk ka asnjë informacion nga niveli qendror rreth kësaj çështje, pasi që janë injoruar.

“Për besë aktualisht nuk kemi ndonjë informacion pasi që po shihet se niveli qendror po e injoron nivelin lokal, andaj edhe nuk kemi ndonjë informacion rreth kësaj çështje”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se reagimi i AKK-së vjen pasi që po shihet se niveli qendror nuk ka gatishmëri për bashkëpunim me nivelin lokal. Ibrahimi ka deklaruar se në të kaluarën është dëshmuar se bashkëpunimi mes dy niveleve, atij qendror dhe lokal ka bërë që të ketë edhe sukses në luftën kundër pandemisë COVID-19.

I pyetur nëse do të ketë ndonjë reagim nga AKK-ja në rast se niveli qendror merr vendim për ndryshimin e masave pa diskutuar me kryetarët e komunave, Ibrahimi ka thënë se shpreson që bashkëpunimi i nivelit qendror me nivelin lokal të vazhdojë, pasi që është në interes të qytetarit.

“Ne po shpresojmë që dialogu duhet të vazhdojë me nivelin lokal në mënyrë që qytetari të mos pësojë duke marrë parasysh se kryetarët e komunave së bashku me ekipet e tyre kanë dhënë maksimumin gjatë kohës së pandemisë. Andaj, ne mendojmë se niveli qendror duhet të jetë në bashkëpunim me nivelin lokal në mënyrë që çdo masë të zbatohet më lehtë, por pasi që qasja e nivelit qendror është e tillë, nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, ka përfunduar Ibrahimi.

Kujtojmë se sot në Kosovë brenda 24 orëve janë regjistruar 152 raste të reja pozitive me COVID-19, e që shënojnë ngritje të numrit të të infektuarve në krahasim me ditët e kaluara.

Ministria e Shëndetësisë javë më parë kishte paralajmëruar se masat do të ndryshojnë bazuar në situatën me COVID-19 në Kosovë.

Go to TOP