Qeveria lehtëson procedurat për licencimin e mjekëve që jetojnë jashtë Kosovës

Mjekët që jetojnë jashtë Kosovës, tani e tutje do të kenë licenca 5 vjeçare për punë këtu dhe jo të përkohshme siç i kanë pasur deri më tani.

Kjo, derisa nuk do të ketë as taksa administrative për njohjen e shkollimit të tyre.

Këto i mundëson Udhëzimi  për angazhimin e profesionistëve të huaj, i cili u miratua te premten me ndryshimet e bëra ligjore duke i thjeshtësuar këto procedura.

Ani se e konsideron të vonë, këtë lajm e mirëpriti kardiologu Fahri Beqa i cili vepron në Gjermani, teksa bëri me dije se vazhdimisht ka qenë i involvuar në kërkesën për largimin e barrierave për mjekët që jetojnë në mërgatë.

E, për mjekun nga Lugina e Preshevës, Fatmit Arifi që karrierën dhe jetën po e bën në Kosovë, licencimi më kohë të përkohshme sipas udhëzimit të kaluar, i kishte sjellë edhe gjobë nga Inspektorati Shëndetësorë.

Kjo për faktin se një muaj para se ti skadonte leja e punës, anise kishte aplikuar për ri-licencim, përgjatë kësaj periudhe ishte dënuar nga Inspektorati Shëndetësorë për shkak të afatit.

Si shkak i procedurave burokratike  internisti Arifi tregon se shumë kolegë të tij janë larguar nga Kosova.

Kardiologu Beqa bën me dije se udhëzimi i ri do të lehtësoj edhe qasjen e mjekëve nga diaspora, teksa pranon se shumica nga ta po vijnë në sektorin privat për shkak të kushteve dhe ambientit,  por që sipas tij MSh dhe ShSKUK duhet të hartojë politika në mënyrë që kjo qasje të ndërtohet edhe për sektorin publik.

Go to TOP