Kosova.info

Qeveria Hoti e solli një njohje, ‘Qeveria Koti’ asnjë!

Shkruan: Florim ZEQA

Qeveria amatoreske dhe diplomacia inekzistente i kanë hapur rrugën Serbisë për tërheqje dhe pasivizim të njohjeve. Edhe pse zyrtarisht nuk kemi të dhëna për numër të ç’njohjeve, nuk e kemi asnjë njohje zyrtare që nga njohja e Izraelit, e cila na erdhi në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 Shator 2020

Vakum diplomatik

Mungesa e një diplomacie efikase në mirëmbajtjen e raporteve me shtetet njohëse i ka vënë në lajthitje ato, kurse të tjerat që ishin në prag të njohjes, janë larguar nga ideja e njohjes. Dërgimi i personave anonim dhe pa kredibilitet në përfaqësitë diplomatike e ka dëmtuar imazhin e Kosovës në botë!

Këtë situatë vakumi diplomatik, është duke e shfrytëzuar diplomacia serbe në parandalimin e njohjeve dhe kontestimin e njohjeve ekzistuese.

Diplomacia jonë, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme është mbyllur në lëvozhgën e saj, duke mos e zhvilluar asnjë lobim serioz tek shtetet mosnjohëse!

Ka ikur koha e njohjeve përmes miqve perëndimorë

Siç dihet, shumicën e njohjeve të shtetit të Kosovës i kemi dhuratë prej aleatëve tanë, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shumë pak njohje i kemi si produkt i lobimit tonë!

Madje, edhe njohjen e fundit nga Izraeli e aranzhoj presidenti amerikan Donalld Trump me rastin e Marrëveshjes së Uashingtonit, me ç’rast kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.

Ne, tërë ditën mund ta akuzojmë Serbinë dhe Rusinë për mungesën e njohjeve, por kjo në radhë të parë është pasojë e mospunës tonë, përkatësisht e mungesës së një diplomacie efikase dhe profesionale.

Shkaqet e ngecjes së njohjeve nuk duhet t’i kërkojmë jashtë Kosovës, por duhet t’i gjejmë brenda ‘Qeverisë aktuale’ për mos zgjerimin e ndikimit diplomatik tek shtetet mosnjohëse.

Nuk është pragmatizëm diplomatik dërgimi i kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian pa e pasur asnjë gjasë teorike për anëtarësim!

Pa anëtarësim në Këshillin e Evropës, pa njohjen nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe pa pranimin në Interpol dhe UNESCO, kërkesa e Kosovës do të mbetët edhe 20 vite në sirtarët e BE-së!

Ndërrimi i qasjes së ShBA-ve ndaj shtetit të Serbisë, shqetësues për Kosovën

Nuk është shqetësim vetëm deklarimi i ShBA-ve për mosvënien e kushtit Serbisë për njohjen e Kosovës në dialogun e Brukselit, por janë raportet tepër të relaksuara me Serbinë. Paralajmërimi i ShBA-ve për investime qindra milionëshe në Serbi e vërteton përafrimin e amerikanëve me fqinjin tonë verior, përderisa mungojnë investimet kapitale në territorin e Republikës së Kosovës!

Raportet e mira dhe përputhja e interesave amerikane me Kosovën e sollën mrekullinë në vitin 1999, gjegjësisht intervenimin e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë-NATO-s. Por tani 24 vite më vonë gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht, e në veçanti pas fillimit të invazionit rus në Ukrainë kanë ndryshuar edhe rrethanat gjeostrategjike në Evropë dhe në Ballkan.

Nëse kryeministri Albin Kurti nuk e ndërron qasjen e qeverisjes dhe nuk e bën riformatimin e Qeverisë brenda një kohe të shkurtër, rrezikon që të përfundojë mandatin pa i sjellë asnjë njohje shtetit të Kosovës, e për më keq se kaq, mund t’i humbas disa prej njohjeve ekzistuese!

Është mëkat i madh që populli më pro-amerikan në rruzullin tokësorë të humbas mbështetjen e ShBA-ve, shkaku i një qeverie e cila nuk i merr në konsideratë këshillat dhe rekomandimet e aleatit numër 1 dhe të shteteve mike të Bashkimit Evropian. Me këtë qeverisje amatoreske dhe me diplomaci inekzistente nuk mund të presim më mirë!

escort mersin - izmir escort