Qendrat e mjekësive familjare përballen me mungesë të barnave esenciale

Në qendrat kryesore të mjekësisë familjare në Kosovë po mungojnë barnat esenciale, ndonëse ministri Vitia kishte premtuar se brenda kësaj jave do të ketë furnizime.

Në barnatoren e QKMF-së e Prishtinës po mungojnë shumë barna të rëndësishme.

Përgjegjësi i barnatores Fatos Aliu thotë se pos mungesës së barnave për sëmundje kronike, ka edhe mungesë ta barnave për trajtimin e coronavirusit.

“Në barnatoren qendrore kemi mungesë të barnave për diabet, hipertension por ka edhe mungesë të terapive për pacientët me coronavirus”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Fatos Aliu.

Mungesë ta barnave esenciale ka edhe në QKMF-të në Vushtrri.

“Ka mungesë të tretjes fiziologjike që është pjesë e infuzioneve, mungojnë kanillat. Edhe një pjesë e madhe e terapisë së ampulave”, deklaron Egzon Maloku.

Por në Lipjan nuk i kanë të njëjtat probleme.

Drejtori QKMF-së në Lipjan, Agim Krasniqi thotë se pacientët duhet t’i blejnë vetëm terapitë që nuk janë pjesë e listës esenciale.

“Shumicën e barnave nga lista esenciale i kemi. Kemi sidomos mjaftueshëm furnizime me infuzione dhe nuk na kanë munguar asnjëherë”, deklaroi Krasniqi.

Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë nuk i janë përgjigjur interesimit të RTV Dukagjinit për mungesën e barnave esenciale në shumë barnatore.

Go to TOP