Qëllon qenin e fqinjit me armë zjarri në Doganaj – 27-vjeçarit i ngrihen tri vepra penale

Më datën 29 nëntor 2025, rreth orës 13:30, policia në Kaçanik ka pranuar një raportim nga një banor i fshatit Doganaj, i cili njoftoi se qeni i tij ishte qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari R.S., 27 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, kafsha kishte ngordhur.

Patrulla policore dhe hetuesit e stacionit të Kaçanikut kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë konfiskuar tre gëzhoja të pistoletës së përdorur në rast.

I dyshuari R.S. është vetëdorëzuar në stacionin policor, ku ka dorëzuar armën e zjarrit – një pistoletë – si dhe nëntë fishekë.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij janë iniciuar tri vepra penale: Armëmbajtje pa leje, Përdorim i armës së zjarrit dhe Keqtrajtim i kafshëve. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore. /Kosova.info/


Go to TOP