Guri Pecit: Familja jote s’ka faj që doli ‘beteri’ prej teje

Kryetari i FRLDK-së, Paris Guri, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit Faton Peci, i cili kritikoi ashpër kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për përdorimin e termit “e paedukatë” ndaj Donika Gërvallës. Guri ironizon se nëse sipas Pecit edukata vjen vetëm nga familja, atëherë përgjegjës për një vepër janë edhe prindërit – por, shton ai, “unë nuk besoj që familja jote janë hajna, Faton”.

Peci: Po fyejmë familjet heroike të Kosovës nëse sulmojmë Donikën

Polemika e fundit politike është ndezur pas një deklarate të Lumir Abdixhikut ndaj Donika Gërvallës, të cilën e quajti “e paedukatë”. Në mbrojtje të Gërvallës ka dalë ministri Faton Peci, i cili e ka konsideruar këtë cilësim si fyerje jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj familjes së saj – të cilën e përshkruan si një prej shtyllave të historisë kombëtare shqiptare.

“Përgjegjëse primare për edukimin e një personi është familja. E, nëse i thua Donikës ‘e paedukatë’, ti e ke fyer Jusuf Gërvallën, Suzanën, Nanën Ajshe – një familje që është institucion i qenies shqiptare,” ka shkruar Peci.

Guri: Faton, familja jote s’ka faj që doli ‘beteri’ prej teje

Por ndaj këtij qëndrimi ka reaguar Paris Guri, kryetar i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në një deklaratë për media, Guri i është përgjigjur me ironi dhe sarkazëm Pecit: “Sipas kësaj logjike, nëse dikush është hajn, atëherë hajn është edhe familja. Jo, Faton, unë nuk besoj që edhe familja jote janë hajna, ata sigurisht janë munduar me të rritë në mënyrën e duhur. Po qysh thojnë pleqtë – ‘prej Skenderit del Beteri’.”

Guri thotë se nuk duhet keqpërdorur emrat e figurave historike për të mbrojtur veprimet apo fjalorin e sotëm politik: “Me këto standarde, çdokush që ka një mbiemër me histori, do të ishte i paprekshëm nga kritika, e kjo është e papranueshme në demokraci.” /Kosova.info/

Go to TOP