Pushteti lokal i dalë nga zgjedhjet e fundit të aplikojë parimin e gjithëpërfshirjes në planifikim

Mosfunksionimi i parimit të barazisë në shfrytëzimin e hapësirave publike dhe mungesa e përfshirjes së qytetarëve në planifikim urban për shkak të mungesës së vullnetit politik lokal del të jetë një nga problemet kryesore në qytetet e Kosovës. EC Ma Ndryshe për vite me radhë ka avokuar në mënyra të ndryshme për të promovuar tek autoritetet lokale në Kosovë planifikimin urban me pjesëmarrje qytetare dhe bën thirrje që në mandatin e ardhshëm qeverisës përfshirja e kategorive të ndryshme të komunitetit në proces të planifikimit urban të jetë prioritet në objektivat qeverisëse.

Hapësirat publike janë nyje lidhëse ndërmjet njeriut dhe qytetit prandaj ato duhet të jenë të dizajnuara në mënyrë që të jenë të shfrytëzueshme nga të gjitha kategoritë e shoqërisë dhe në të njëjtën kohë t’i shërbejnë të mirës publike. Një hapësirë e mirë publike nuk aplikon përjashtime as për të moshuarit, as për personat me nevoja të veçanta, as për prindërit me karroca apo fëmijët. Pra, një hapësirë publike duhet të ofrojë barazi në qasje dhe shfrytëzim ndërmjet grupeve të ndryshme të komunitetit, e kjo barazi arrihet me përfshirjen e nevojave të këtyre kategorive në proces të planifikimit.

Në hulumtimin e realizuar nga EC Ma Ndryshe të titulluar “Sa janë qytetet tona gjithëpërfshirëse?” të dhënat e gjetura tregojnë se parimi i përfshirjes së qytetarëve në procese të planifikimit dhe gjithëpërfshirja e nevojave të tyre nga institucionet lokale është në nivel shqetësues. 75% e respondentëve deklarojnë se në qytetin e tyre nuk ka gjelbërim të mjaftueshëm; 72% pohojnë se transporti publik në qytetin e tyre nuk është i organizuar mirë apo edhe nuk ekziston fare; 75% thonë se ka mungesë të hapësirave publike dhe 85% e respondentëve deklarohen se në baza ditore vërejnë diskriminim të grupeve të margjinalizuara si pasojë e planifikimit jo të duhur urban. Në anën tjetër gjë që është edhe më shqetësuese janë të gjeturat që tregojnë që vetëm 10% e të anketuarve janë ftuar ndonjëherë në ndonjë proces të hartimit të planeve hapësinore në komunën e tyre dhe se 90% pohojnë se kërkesat, sugjerimet apo vërejtjet e tyre nuk janë marrë parasysh.

Përjashtimi i nevojave të një kategorie të caktuar të shoqërisë nga planifikimi urban nënkupton drejtëpërdrejtë shkelje të të drejtave të njeriut. Arsyeja se pse është thelbësore të pyeten kategoritë e ndryshme të komunitetit para marrjes së një vendimi institucional, sidomos kur ka të bëjë me hapësirën publike, është sepse janë pikërisht qytetarët ata që do të ballafaqohen në baza ditore me ato ndërhyrje. Planifikimi urban me pjesëmarrje qytetare është një proces që e nxit mirëqenien, e bën jetën brenda zonave urbane më aktive dhe sjell përfitime për secilën kategori të komunitetit si në aspektin social, ashtu edhe në atë ekonomik dhe kulturor. Qeveritë lokale duhet ta kenë parasysh që aplikimi i kësaj qasjeje ku qytetari dëgjohet dhe nevojat e tij përfshihen në planifikim nënkupton stabilitet, qëndrueshmëri, mirëqenie dhe zhvillim.

Përfshirja e komunitetit në procese të planifikimit e rrit legjitimitetin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes dhe poashtu e rrit besimin e qytetarëve tek institucionet lokale. Në anën tjetër aplikimi i këtij parimi rrjedhimisht sjell edhe përfitime të mëdha për komunitetin e banorëve sepse përfshirja aktive e qytetarëve në planifikim urban rezulton me projekte të cilat ofrojnë specifikisht zgjidhje ndaj problemeve ditore të tyre në raport me hapësirën publike. Përmes kësaj qasjeje arrihet sigurimi i qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve meqenëse është vetë komuniteti ai që konsiderohet si ideues dhe aplikues i ndryshimeve. Në këtë mënyrë mundësohet që hapësirat publike të ofrojnë qëndrueshmëri, siguri, dhe të jenë mikpritëse dhe përmbushëse ndaj nevojave të grupeve të ndryshme të komunitetit siç janë personat me nevoja të veçanta, prindërit me karroca, gratë, të rinjtë, të moshuarit, bizneset dhe grupet e tjera të përfshira.

Poashtu, EC bë thirrje që qeverisjet lokale gjatë mandatit të tyre të marrin parasysh Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara dhe në këtë rast t’i bashkohen trendit botëror për ta përmbushur Objektivën e 11 që synon të krijojë Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme. Në kuadër të kësaj objektive synohet që të përmirësohet planifikimi dhe menaxhimi urban pikërisht përmes pjesëmarrjes dhe gjithëpërfshirjes qytetare.

Pjesëmarrja publike në planifikim dhe vendimmarrje është e lidhur ngushtë me funksionimin e mirëfilltë të demokracisë lokale, prandaj EC bën apel përmes kësaj thirrjeje tek qeverisjet lokale që në mandatin e ri të mos lejojnë që edhe më tej qytetet e Kosovës të jenë përjashtuese ndaj kategorive të veçanta të komunitetit dhe të aplikohet parimi i gjithëpërfshirjes në planifikim dhe vendimmarje në mënyrë që hapësirat publike të mos bëhen faktor të shkeljes së të drejtave të njeriut për grupe të caktuara të shoqërisë.

Go to TOP