“Pse Stalini i trembej famës së komandantit Zhukov!”- Ish-ambasadori, Bashkim Zeneli zbulon prapaskenat e historisë së Marshalit, katër herë hero dhe më pas “armik” i udhëheqësit sovjetik

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Gjermani e Greqi, Bashkim Zeneli, në librin e tij “Miqësia e Trazuar”, ka zbardhur ngjarjen dhe intrigat e Stalinit ndaj komandanti legjendar të Luftës së Dytë Botërore, Georgi Zhukov.

Për të realizuar këtë libër, në hulumtimet e tij, Bashkim Zeneli, ka përdorur dokumentacione të pasura arkivore, referime të autorëve gjermanë, amerikanë, rusë dhe britanikë.

“Stalini i trembej popullaritetit të madh të Zhukovit, por i trembej edhe mundësisë për ndonjë grusht shteti të ushtrisë, të komanduar nga Zhukovi.

Edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, pas 9 majit 1945, Stalini do të nxiste marshallin Konjev, një rival ambicioz i Zhukovit, edhe ai me emër në forcat e armatosura, për të “nxjerrë në dritë edhe gabimet e Zhukovit, që u kushtuan jetën mijëra ushtarëve sovjetike në luftën për Berlinin.

“Stalini e njihte mirë, shumë mirë, smirën e Konjevit ndaj Zhukovit dhe nxiste përplasjet e ushtarit politik Konjev, kundër vetëm ushtarit Zhukov… kjo ishte sjellja më tipike e Stalinit për të diskretituar dhe eliminuar bashkëpunëtorët”, thekson Zeneli në librin e tij.

BASHKIM ZENELI

Për heroin e Bashkimit Sovjetik, marshallin Zhukov, janë shkruar shumë libra, jo vetëm në Bashkimin Sovjetik. Jeta e këtij komandanti legjendar të Luftës së Dytë Botërore ka shkuar përherë me ulje dhe ngritje, me dyshime e me persekutime, me intriga e me dekorime, me shkarkime e me riemërime, me numërimin e gabimeve në luftë, me mospërfilljen e vijës së Partisë dhe me mosvlerësimin sa duhet të Stalinit.

Një jetë plot trazime me diktatorin Stalin; rehabilitim dhe përsëri shkarkim me Hrushovin; goditje e mënjanim edhe me Brezhnjevin. Sigurisht, me pëlqimin dhe me urdhrat e Stalinit, KGB-ja dhe drejtuesi famëkeq i saj, Laurentij Berija, do të thurnin intriga dhe do të qepnin dosje për “stilin drejtues të Zhukovit në ushtri, për nënvleftësimin e rolit udhëheqës të Partisë në Ushtri dhe të komisarëve politikë”. Stalini i trembej popullaritetit të madh të Zhukovit, por i trembej edhe mundësisë për ndonjë grusht shteti të ushtrisë, të komanduar nga Zhukovi.

Edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, pas 9 majit 1945, Stalini do të nxiste marshallin Konjev, një rival ambicioz i Zhukovit, edhe ai me emër në forcat e armatosura, për të “nxjerrë në dritë edhe gabimet e Zhukovit, që u kushtuan jetën mijëra ushtarëve sovjetike në luftën për Berlinin”. “Stalini e njihte mirë, shumë mirë, smirën e Konjevit ndaj Zhukovit dhe nxiste përplasjet e ushtarit politik Konjev, kundër vetëm ushtarit Zhukov… kjo ishte sjellja më tipike e Stalinit për të diskretituar dhe eliminuar bashkëpunëtorët”.

Menjëherë mbas luftës, ndërsa me njërën anë i akordonte për të tretën herë titullin e lartë “Hero i Bashkimit Sovjetik”, Stalini do të kritikonte Zhukovin se “po kërkonte më shumë lavdi nga sa i takonte për marrjen e Berlinit”, se “vërtet kishte fituar mbi ushtrinë naziste, por edhe kishte gabuar në shumë beteja”, se “kishte minimizuar humbjet e Ushtrisë së Kuqe”, se “kishte shfaqur në shumë raste mospërfillje ndaj vetë atij (Stalinit)” etj., etj..

Në ceremoninë për t’i dhënë për herë të tretë urdhrin e Heroit, Stalini, në një prani të madhe të ushtarakëve të lartë dhe të të gjithë Byrosë Politike, do t’i drejtohej Zhukovit: “Berlini të bëri tri herë Hero të Bashkimit Sovjetik, por tani nuk ka më beteja në Berlin…”. Sjelljet e diktatorëve janë kudo të njëjta: në njërën anë të qëndisin gjoksin me nishane, e pas shpine të ngulin thikën. Kulti i diktatorit Stalin ishte i pashembullt… Në vitin 1949, në Bashkimin Sovjetik, është botuar një libëralbum mjaft voluminoz, me mbi 1000 faqe, kushtuar Stalinit.

Ai është përgatitur nga Instituti Marks-Engels-Lenin pranë Komitetit Qendror të Partisë dhe Muzeu qendror i Leninit. Deri në vitin e botimit, pra, në vitin 1949, aty shkruhet se “në B. Sovjetik kishte 2630 uzina, shkolla, fabrika, qytete, institute, kolkoze, Universitete, sheshe, anije, shtëpi botuese, rrugë, kartolina, pulla postare të përvitshme, kombinate etj., që mbanin emrin e Stalinit.” Në të 16 Republikat, dukeshin mijëra portrete të vendosura në çdo qytet, në dimensione të stërmëdha të Stalinit. Ai ishte anëtar nderi i Akademisë së Shkencave, që nga 22 dhjetori i vitit 1939.

Monumentet me bustet e tij, ishin në të gjithë B. Sovjetik. Stalini, jo vetëm në shtyp dhe propagandë, por në radhë të parë nga të gjithë udhëheqësit komunistë të Kremlinit, etiketohej si “strategu gjenial i revolucionit socialist”; “njeriu më i dashur i popujve të Bashkimit Sovjetik”; “udhëheqësi i mbarë botës”; “udhëheqësi më i madh i të gjitha kohërave dhe i të gjithë popujve”; “mësuesi i lavdishëm i proletariatit”; “mësuesi i luftës së popujve të shtypur kundër kolonializmit, kapitalizmit dhe imperializmit”; “Strateg i Luftës së Dytë Botërore”; “Udhëheqësi i vetë që di gjithçka”; “vazhduesi i veprës së Leninit”; “Heroi i luftës për marrjen e Berlinit”, “Udhëheqësi më i madh i botës komuniste”, etj., etj. Asnjë fjalë për komandantët që luftuan me heroizëm kundër nazifashizmit.

Në Librin-Album me mbi njëmijë foto, nuk ka as edhe një foto nga lufta për marrjen e Berlinit (sepse aty nuk ishte vetë ai, Stalini). Në paradën madhështore me rastin e fitores mbi fashizmin, më 24 qershor, në Sheshin e Kuq në Moskë, në momentin e fundit urdhëron që paradën do ta drejtojë marshalli Budionij e jo Zhukovi, siç edhe ishte vendosur më parë, kur Zhukovi u thirr nga Berlini.

…Menjëherë mbas përfundimit të luftës, më 8 maj, duke nisur nga orët e para të 9 majit, kur do të nënshkruhej marrëveshja për kapitullimin pa kushte të Gjermanisë në Berlin, Stalini, me urgjencë, me avion të posaçëm, do të dërgonte në Berlin zëvendëskomisarin e popullit për punët e jashtme, Andrej Vishinskij. Ai ishte porositur që të qëndronte aty edhe më tej, si këshilltar i Zhukovit, në detyrën e re që kishte marrë si komandant i Forcave të Armatosura Sovjetike në Gjermani.

Zhukovi do të shërbente edhe si përfaqësues i Bashkimit Sovjetik në Këshillin e Kontrollit të Aleatëve. Zhukovi e njihte mirë Vishinskin edhe në misionin në Berlin, por më tepër, se në periudhën e viteve 1937-1938, ai kishte qenë kryeprokuror në proceset politike të spastrimit të madh kundër udhëheqësve të Ushtrisë së Kuqe dhe elementeve antiparti në Forcat e Armatosura. Intrigat ndaj Zhukovit do të vazhdonin.

Besniku i diktatorit Stalin, Berija, një vrasës gjakftohtë i Kremlinit, në verën e vitit 1945, do të dërgonte në Berlin një nga zëvendësit e KBG-së, Viktor Abakumov. Me akuza nga më monstruozet për “tradhti”, për “mungesë respekti për Stalinin”, për “administrime e organizime të dobëta në njësitë që komandonin”, ai do të arrestonte disa ushtarakë të lartë të Shtabeve të armëve të ndryshme të komanduara nga Zhukovi. Kjo do ta trondiste së tepërmi marshallin dhe kërkesës së tij për të dhënë shpjegime për këto arrestime.

Abakumov do të përgjigjej se “nuk jam i detyruar t’ju jap shpjegime”. Atëherë, Zhukovi dha urdhër që ushtarakët e arrestuar me urdhër të Berijes, të liroheshin menjëherë dhe për këtë përgjegjësinë do ta mbante vetë. Zëvendësshefi i KGB-së, Abakumov, i dështuar, do të kthehej menjëherë në Moskë. Në fillim të marsit 1946, Stalini urdhëron largimin e Zhukovit nga Berlini dhe do ta emëronte në një detyrë fare të ulët: komandant të garnizonit ushtarak të Moskës.

Por, në një mënyrë ose në një tjetër, intrigat do të vazhdonin. Zhukovi do të përplasej fort në zyrën e tij më Bulganinin, që mbante detyrën e zëvendësit të parë të komitetit të popullit për mbrojtjen, që drejtohej nga vetë Stalini. Zhukovi do ta cilësonte Bulganinin si “injorant në çështjet ushtarake”. Dhe mbas kësaj, do të niste përsëri furtuna. Stalini do të thërriste Zhukovin para një komisioni të lartë ushtarak, në zyrën e tij, në Kremlin. I pranishëm kryesor, si gjithnjë, Berija.

Në këto rrethana, marshallit hero nuk i mbetej gjë tjetër vetëm se të bënte “autokritikë”, duke thënë se “në luftë kam bërë detyrën time si komunist, por kam mbivlerësuar meritat e mia”. Dhe Stalini do të vendoste, në atë takim, që Zhukovi të shkonte komandant i garnizonit në Odesë.

Georgi Zhukov

Por nuk do të merrte fund me kaq. Në dhjetor të vitit 1947, do të përjashtohej nga Komiteti Qendror i Partisë, së bashku me 17 anëtarë të tjerë, që në një mënyrë apo në një tjetër, vlerësuan figurën dhe kontributet e Zhukovit si komandant ushtarak.

“Nga 139 anëtarë të K.Q. që ishin në vitin 1934, mbas luftës, në vitin 1945, 98 prej tyre do të arrestoheshin apo vriteshin me urdhër të Stalinit. Të tjerë ushtarakë, sidomos komisarë politikë, do të dërgoheshin në kampet e punës”.

Akuza ndaj tyre, siç ndodh rëndom në regjimet totalitare (pse jo, edhe te ne me grupet armiqësore në ushtri) ishte për “kundërvënie të vijës politike dhe ideologjike të Partisë”, si “renegatë të rrezikshëm dhe diversantë ideologjikë”. “Në Ukrainë, nga viti 1938 deri në vitin 1946, nga 200 anëtarë të KQ të Partisë Komuniste të Ukrainës, ndër vite mbijetuan pa ndëshkime, persekutime e vrasje vetëm 3 anëtarë”.

Pa asnjë habi, Zhukovi edhe mbas dërgimit në garnizonin e Odesës, priste arrestimin e tij dhe dënimin si armik i Partisë… Dhe një sinjal i fortë për këtë ishte arrestimi i zëvendësit të tij në Odesë, gjeneralit Teleginge, që mbas një procesi farsë, do të përfundonte në një kamp pune në Siberi, i dënuar për 25 vjet, sepse edhe ai, “nuk përfillte sa duhej komandën politike në ushtri”. (Gjenerali do të rehabilitohej pas vdekjes së Stalinit, në vitin 1953).

Më 9 maj 1948, në përvjetorin e tretë të fitores mbi nazifashizmin, nuk ftohet në asnjë veprimtari. Në shtyp, në propagandë, në mitingje si komandant i luftës patriotike mbi fashizmin përmendet vetëm emri i Stalinit. Vetëm ai, do të shkruante gazeta e partisë “Pravda” është udhëheqësi fitimtar i luftës. Ajo nuk e përmend asnjëherë Zhukovin, por as edhe Konjevin, Rokotovskin, Vasiljevskin e të tjerë që kishin luftuar kundër fashizmit, deri në Berlin.

Nuk del e qartë se për çfarë arsyeje, por në fund të vitit 1950, Stalini “zbutet” ndaj Zhukovit dhe propozon që të rizgjidhet deputet në Sovjetin e Suprem. Do ta përfshijë edhe në ndonjë ceremoni protokollare dhe në vitin 1952, Stalini i propozon “Kongresit II të Partisë që Zhukovi të rizgjidhej, jo anëtar, por kandidat i Komitetit Qendror, nga ku ishte përjashtuar 5 vjet më parë. Një vit më vonë, më 5 mars 1953, diktatori Stalin ndahet nga jeta, mbas një sundimi prej 31 vitesh (1922-1953). Vendin e tij e zë Nikita Hrushov, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ për bujqësinë.

Ai nis një kurs rehabilitimesh në Parti, ushtri, ekonomi, kulturë dhe në administratën e lartë. Më 25 shkurt 1956, Hrushovi do të mbajë në kongresin e 20-të të PK të BS raportin sekret mbi krimet e Stalinit. Hrushovi shpall edhe një amnisti për të burgosurit politikë.

Është shkruar shumë për krimet e pashembullta të Stalinit, për terrorin stalinist që populli i njihte edhe si “Jeshovskina” (Koha e Jeshovit), shefit kriminel të KGB-së, Berijes. Në vitet e Nikolai Jeshov, 1930-1936, populli sovjetik përjetoi një dhunë dhe represion të panjohur më parë. Kjo u ndje kudo, por veçanërisht në radhët e Forcave të Armatosura. Spastrimet prekën 65 për qind të ushtarakëve të lartë.

“Në asnjë luftë, ndonjë ushtri në botë, nuk ka pësuar humbje aq të mëdha në elitat e larta e më të larta ushtarake, sa në ushtrinë sovjetike në periudhën e Stalinit”. “Nga anëtarët e Byrosë Politike, deri te qytetari më i thjeshtë do të burgoseshin, internoheshin dhe vriteshin qindra mijëra, madje miliona njerëz, në emër të luftës “kundër elementeve kundërrevolucionare”. Kishte një kuotë për t’u plotësuar.

Nga viti 1939-1937 do të burgoseshin e vriteshin udhëheqës të lartë të Partisë e të shtetit si: Zinovievi, Kamenievi, Buharini, Kretrinskij, Rikov, Piatakov, Radek dhe, më herët, Trocki. Do të goditeshin në emër të qendrave trockisto-zinoviane dhe trockistë “të djathtë”, qindra mijëra vetë.

Do të arrestoheshin për dy vite ‘36-‘38, 6 milionë njerëz, dhe nga këta, 3 milionë do të ekzekutoheshin; 2 milionë do të vdisnin në kampet e punës”. Në gusht 1937 deri në maj 1938, do të shpërthente lufta për “likuidimin e kulakëve të dikurshëm, kriminelëve dhe elementeve antisovjetikë”.

Që në vitin 1934, do të vritej udhëheqësi i njohur, Kirov. Më 2 korrik 1937, Stalini u kishte dërguar një letër Komiteteve Qendrore të Partisë të 16 republikave të BRSS, ku do të urdhëronte për të “arrestuar e vrarë të gjithë kriminelët dhe kulakët”. “Do të ngrihej një komision prej 3 vetash në KQ të Partisë dhe në bashkëpunim me Jakovin, do të përpilohej një listë për të arrestuar menjëherë 260 mijë vetë. Nga këta, 73 mijë do të ekzekutoheshin”.

“Ky komision i lartë, i plotfuqishëm, i përbërë nga Merkulov, Kobulov dhe Bashtokov, në praninë e përhershme të funksionarëve më të lartë të KGB-së, shikonte aktet që i vinin dhe udhëzonte për arrestimet.

Ky komision i frikshëm ishte gjithçka…”. “Vetëm gjatë vitit 1938, u përpiluan 383 lista të ndryshme, drejtpërdrejt me firmën e Stalinit, ku përfshiheshin 60 mijë funksionarë partie dhe udhëheqës në shtet, ushtri dhe ekonomi. Nga këta, 41 mijë do të pushkatoheshin… Edhe anëtarë të Byrosë Politike do të përgatitnin lista: 373-Molotovi, 195-Voroshillovi, 191-Kaganoviç, 173-Zhdanovi, 62-Mikojani, etj., etj.”

Më 31 janar 1938, nga 60 mijë të arrestuar të listave të ndryshme, thjesht si kulakë “kriminelë”, 50 mijë do të ekzekutoheshin… Nga shkurti i vitit 1938 deri në 29 gusht 1938, pra, brenda 6 muajve, do të arrestoheshin edhe 60 mijë të tjerë. KGBja nga ana e saj, në vitet 1937-1938, do të arrestonte 1.6 milionë vetë dhe nga këta, 700 mijë do të ekzekutoheshin. Nga viti 1936-1938, në radhët e Ushtrisë se Kuqe, siç kam përmendur edhe më lart, spastrimet dhe dënimet, gjithashtu do të ishin të mëdha.

“…Do të ekzekutoheshin 5 marshallë; 15 gjeneralë armate, 9 admiralë, 53 gjeneralë komandues, 136 gjeneralë divizionesh dhe 44 komisarë politikë korpusesh… Nga maji 1937 deri në shtator 1938 do të arrestoheshin 32 mijë oficerë… Në vitin 1940, 10 mijë do të faleshin e do të rimerreshin në ushtri.

Midis tyre ishte edhe marshalli hero Rokossovskij, më vonë komandant i Frontit të Dytë Bjellorus, në ofensivën ndaj Gjermanisë e Berlinit. Në vitin 1937, në kulmin e këtij terrori e spastrimi në ushtri, do të ekzekutohej edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, marshall Tushatievski”. Por spastrimet, internimet dhe dënimet deri me vdekje, do të përfshinin jo vetëm drejtues partiakë dhe ushtarakë, por edhe intelektualë të të gjitha sferave…. “2000 shkrimtarë dhe poetë, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve ose do të vriteshin, ose do të internoheshin në kampet e vdekjes së punës.

Nuk u përjashtuan nga ky spastrim as artistë të njohur, regjisorë, kompozitorë, piktorë, skulptorë të njohur… Edhe vetë gruaja e ministrit të Jashtëm, Molotov, Paulina Dsemtshnjina, më 21 janar 1949, do të internohej për 5 vjet për “humbje të dokumenteve të rëndësishme”.

Është jashtëzakonisht tronditëse shifra se në sistemin e kampeve Gulag, në fillim të vitit 1953, pak javë para vdekjes së diktatorit Stalin, numëroheshin 3.5 milionë të burgosur. Tiranët si Stalini me të tjerë jetojnë vërtet me mënyrën më të rrezikshme dhe kanë një kujtesë të gjatë. Në një moment të caktuar, i kujtojnë “armikut” histori dhe ndodhi të 30-40 viteve më parë, sado që gjatë këtyre viteve kanë bashkëpunuar ngushtë…

…Mbas vdekjes së Stalinit, më 5 mars 1953, Hrushovi do të rehabilitojë marshallin Zhukov duke e emëruar atë zëvendësministër të parë të Mbrojtjes. Kjo u prit me një jehonë të veçantë, jo vetëm në Ushtri, por edhe në popull. Po atë vit, në korrik të vitit 1953, Hrushovi do të arrestonte shefin kriminel të KGB-së, Lavrentij Berija. Meqenëse shërbimi i fshehtë prej 15 vitesh drejtohej prej tij, arrestimi në Kremlin i Berijas do të kryhej, jo nga shërbimi i fshehtë, por nga një grup oficerësh të lartë të ushtrisë, të drejtuar nga marshalli Konjev.

Mbas një gjyqi formal, Berija do të ekzekutohej. Udhëheqësi i ri i Kremlinit e shfrytëzoi shumë mirë popullaritetin që gëzonte Zhukovi. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe do ta emëronte ministër të Mbrojtjes.

Në vitin 1956, në 60- vjetorin e lindjes, Hrushovi do t’i akordonte urdhrin e katërt të Heroit të Bashkimit Sovjetik dhe, njëkohësisht për të shtatën herë, Urdhrin e Leninit. Por, në tetorin e vitit 1956 Hrushovi do të shkarkonte krejt papritur Zhukovin nga të gjitha funksionet që mbante në Parti dhe në shtet.

Duket se edhe Hrushovit po i bënte “hije” marshalli, ashtu si Stalinit, me popullaritetin që kishte… Më 26 tetor 1956, mbas një vizite në Beograd dhe në Tiranë, në kthimin për në Moskë nga Shqipëria, me një radiogram në avion, Zhukovi do të njihej me shkarkimin. Vetëm kaq! Me të mbërritur në Moskë, jashtë çdo të drejte për të thënë fjalën e tij në Byronë Politike, Zhukovi do të mësonte se “kishte dashur të shpërbëjë strukturat e organizatave të Partisë në forcat e armatosura”, “të mohojë e të spostojë rolin udhëheqës të Partisë në ushtri” dhe se “vazhdonte të zhvillonte kultin e tij dhe të vinte veten mbi Partinë”.

Zhukov kthehet në Daçën e tij në një arrest shtëpie, për “akuzat” e përmendura më lart. Nikita Hrushovi, në tetor të vitit 1964, vetëm pak javë para rënies së tij (1953-1964), kërkon t’i bëjë një vizitë Zhukovit në Daçen e tij në periferi të Moskës, për t’i kërkuar ndjesë në emër të Partisë për sjelljen ndaj tij… Zhukovi nuk e pranon këtë vizitë të udhëheqësit më i lartë komunist. Mbas rënies së Hrushovit, në Bashkimin Sovjetik, në krye të partisë dhe shtetit erdhi Leonid Brezhnjevi (1964- 1982).

Duket se edhe atij i duhej Zhukovi njëlloj si në fillim Hrushovit, mbas Stalinit… Brezhnjevi del me Zhukovin në krah, në tribunën qendrore, në paradën ushtarake me rastin e 20-vjetorit të fitores mbi fashizmin, më 9 maj 1965 në Sheshin e Kuq. Propaganda dhe shtypi komunist ngre përsëri lart emrin e Zhukovit…

“Rehabilitohet” përsëri! Shtëpi të shumta botuese, sidomos në Perëndim, i kërkojnë Zhukovit që të shkruajë kujtimet e tij, por Partia nuk e lejon! Më vonë, vetëm në prill të vitit 1968, Brezhnjevi i jep “leje” një shtëpie të njohur botuese franceze, por i vë kushtin Zhukovit, që kujtimet do të botoheshin vetëm mbasi të miratoheshin më parë më KQ të Partisë.

Me gjithë censurën tepër të vëmendshme, jehona e publikimit të vëllimit të parë të kujtimeve do të ishte e jashtëzakonshme. Do të nisnin menjëherë përkthimet në shumë gjuhë. Në vitin 1971, Zhukov pëson një goditje të dytë në zemër. Ndonëse i sëmurë, organizata e Partisë e Rajonit të Moskës ku banonte e zgjedh delegat për në kongresin e 24-t të Partisë.

Por në mënyrën më të paturpshme, Brezhnjevi i dërgon dy përfaqësues të tij në Daçen ku ishte mbyllur me mesazhin se “prania e tij në kongresin e Partisë nuk ishte e dëshiruar…”. Marshallët Konjev, Rokossovski, Çuikov dhe shumë gjeneralë, më në fund do të merrnin guximin për t’i shkuar në shtëpi dhe për t’i kërkuar ndjesë për ato që kishin shkruar për të, të nxitur edhe nga Stalini, edhe nga Hrushovi, edhe nga Brezhnjevi. Dhe Zhukovi, pa kërkuar asnjë sqarim, do t’u thoshte bashkëluftëtarëve të tij: “Zhvilluam një luftë patriotike heroike…

Mundëm nazifashizmin, derdhëm gjak për atdheun!…” Do të ndahej nga jeta më 18 qershor 1974, në moshën 70- vjeçare, në Daçen në periferi të Moskës, aty ku qe nga viti 1956 për plot 18 vite do të qëndronte i mbyllur dhe i braktisur, pse jo, si një armik i Partisë, por një armik që as nuk duhej vrarë, as nuk duhej burgosur, as nuk duhej dërguar në Gulaget e Siberisë. Sepse ishte një “armik” me emër të madh në histori…

…Në anën tjetër të Frontit të Luftës kundër nazifashizmit, Komandati Suprem i forcave aleate perëndimore, gjenerali legjendar Eisenhower, një hero i madh i popullit amerikan, mbas luftës do të kandidonte dhe do të zgjidhej President i SHBA. Dy botë, dy qëndrime, dy vlerësime! Bota e demokracisë perëndimore dhe e diktaturës staliniste.

Go to TOP