Pse duhet votuar Përparim Rama për të parin e kryeqytetit?

(Analizë nga këndvështrimi im si qytetarë dhe votues në kryeqytet)  

Shkruan: Mentor BARANI

Fushata zgjedhore ose raundi i parë zgjedhor i Zgjedhjeve Lokale të 12 tetorit 2025, e dërgoi edhe Prishtinën, kryeqytetin në raundin e dytë – në balotazh. Nuk është ndonjë befasi se Prishtina, për shkak të konfiguracionit demografik, politik dhe të ndikimeve të tjera sociale, ekonomike, kulturore etj., (tradicionalisht) ka shkuar në raundin e dytë. Befasia qëndron te kandidatët që shkuan në raundin e dytë: Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe, Hajrullah Çeku nga Vetëvendosje. Këtu, duhet ta perëndojmë mendjen, logjikën dhe përcaktimin votues: te këta dy kandidat. Pse ? Kandidati i parë, z. Rama është një format tjetër dhe z. Çeku, një format krejt tjetër! Kështu, unë mendoj se i pari (z. Rama), mund të analizohet nga shumë, shumë këndvështrime, ndërsa i dyti (z. Çeku), vetëm mund të komentohet si personazh, por nuk kemi se për çka ta analizojmë. Madje, të gjithë duhet të jemi të befasuar dhe të pyesim se qysh ia arriti z. Çeku të listohet si kandidati i dytë në garë, madje pas kandidatit të respektuar e me përvojë politike dhe organizative Uran Ismajli nga Partia Demokratike e Kosovës!

“Befasinë komentuese” me këtë rast, dua t’ia lë “raundit të parë zgjedhor”.  Tash kur ka filluar fushata e raundit të dytë, ne kemi të drejtë ( të gjithë – pa përjashtim) si banorë dhe si votues të kryeqytetit t’i shprehim mendimet dhe gjykimet tona (publikisht) për të dy kandidatët në garë. Duke i shprehur publikisht “mendimet dhe gjykimet” tona, besojmë shumë se bëhemi pjesë serioze e momentumit zgjedhor. Dhe duhet të bëhemi, por ka tejet rëndësi se për cilin kandidat përcaktohemi. Si autor i kësaj analize, qysh tani i ftoj banorët e kryeqytetit që të dalin masivisht në votim të dielën, më 9 nëntor. Bashkë kryeqytetasit e mi, i ftoj ta zgjedhin kandidatin më të mirë sepse,  njëri nga kandidatët sigurisht që do ta fitojë garën!  

Duke qenë banorë të kryeqytetit, për ne ka shumë rëndësi se kush zgjidhet kryetar! Pyetja ime publike për secilin votues është se cili prej dy kandidatëve, Përparim Rama apo Hajrullah Çeku vërtetë e meriton votën e kryeqytetaseve? Nëse ju bashkë kryeqytetas të dashur do të më pyesnit mua, unë nuk do të hamendesha  aq shumë: votoj për Përparim Ramën. Pse vallë?

Janë disa arsye. Në gjykimin tim, përfaqësimi, menaxhimi dhe administrimi i një qyteti që absorbon gati një të tretën e popullsisë, si dhe imazhi politik e përfaqësues për shkak se në Prishtinë janë të vendosura të gjitha institucionet qendrore në nivel vendi, infrastruktura qeverisëse, institucionet ndërkombëtare dhe diplomatike etj., është një barrë e rënd për secilin kandidatë e ushtrimit të postit të të parit të kryeqytetit. Tri shtyllat kryesore, përfaqësimi, menaxhimi dhe administrimi janë të lidhura me një strukturë të gjerë dhe të thellë të kërkesave të cilat, vijnë direkt nga qytetarët. Kërkesat të cilat, kërkojnë realizim efikas dhe cilësorë, shtrihen që prej sigurimit të ujit, energjisë elektrike, ambientit të pastër, e deri te projektet dhe investimet gjigante si në shkolla, në shëndetësi, në prodhim, në siguri, në kulturë etj. Pra, menaxhimi i një qyteti si Prishtina kur e ka edhe statusin e kryeqytetit, në rrethanat tona përbën sfidë të jashtëzakonshme për secilin kandidat, qoftë kur ndodhet në garë elektorale, dhe qoftë kur i fiton zgjedhjet! Andaj, a mund t’i besohet ky post kandidatit që me asgjë nuk ndërlidhet me kryeqytetin, që nuk ka bashkëjetuar me problemet dhe me historinë e tij, që nuk di se si merr frymë dhe si buzëqesh ky qytet, kur ndjen dhimbje dhe kur ndjenë dashuri, çka i duhet në mëngjes dhe çka i duhet në mbrëmje, cilat janë interesat dhe cilat janë kërkesa kryesore të kryeqytetit etj.   

Kandidati i sprovuar, Përparim Rama, që  në origjinë i takon këtij ambienti prishtinas të lart përshkruar dhe përbën mishërimin fizik, intelektual e menaxherial të figurës rezidente si, asnjë tjetër kandidatë. Rama, është mishërimi më adekuat i atyre që e njohin dhe e duan kryeqytetin me zemër, dhe jo me hile, me interes etj. Rama, me mandatin e parë si kryetar i Prishtinës, ka treguar ( ndryshe nga çdo kryetar i mëhershëm në historinë e kryeqytetit) se, zotëron krejt idetë dhe aftësitë e mundeshe politike, profesionale dhe administrative për ta qeverisur Prishtinën si, askush tjetër. Kudo, që nga vitit 2021 në kryeqytet shihen ndryshimet, investimet kapitale, veprat cilësore në interes të qytetarit të cilat e kanë ndryshuar jetën tonë, i kanë dhënë vlerë të respektueshme jetës në kryeqytet. Kudo shihet administrimi dhe menaxhimi pozitiv e cilësorë i dorës së z. Rama, andaj, vet ai nuk ka nevojë që të flasë e propagandojë punën e tij aq shumë: duhet të jemi ne ata që duhet ta falënderojmë z. Rama për punët e mira të bëra. Falënderimi ynë, vjen nga interesi ynë i përgjithshëm dhe nga përcaktimi ynë për t’ia besuar atij, edhe një mandat.    

Konstatim: Njerëz të mirë, atij duhet t’i besohet posti i të parit të kryeqytetit edhe për një mandat! Përcaktimi për z. Rama, tregon për seriozitetin dhe mençurinë tuaj politike, ndërsa përcaktimi për kandidatin tjetër, z. Çeku, tregon jo seriozitet, neglizhencë dhe eksperiment që në fund përfundon me zero rezultat.


Go to TOP