Pse Bosnja nuk e ka zgjidhur çështjen e kufijve me fqinjët?

Pavarësisht faktit që kanë kaluar 26 vjet që nga përfundimi i luftës, Bosnje dhe Hercegovina nuk i ka zgjidhur mosmarrëveshjet kufitare me Serbinë dhe Kroacinë.

Kjo temë sërish doli në pah gjatë vizitës së zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguar për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Sarajevë.

Bosnja ka arritur marrëveshje me Kroacinë, mirëpo ajo nuk është ratifikuar në parlamentet përkatëse. Marrëveshja me Serbinë ende nuk është nënshkruar për shkak të disa pikave kontestuese.

Kanë kaluar 11 vjet që kur është mbajtur takimi i fundit mes dy komisioneve shtetërore.

Pas takimit me Escobarin më 8 nëntor, anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, tha se “asgjë në lidhje me ndryshimin e kufijve siç janë të përcaktuar në Dejton nuk do të jetë e pranueshme për Shtetet e Bashkuara”.

Anëtari tjetër i Presidencës, Shefik Xhaferoviq, tha se “marrëveshjet për kufirin shtetëror duhet të finalizohen menjëherë, pasi kufijtë edhe sot janë të njëjtë me ditën e njohjes ndërkombëtare të Bosnje dhe Hercegovinës”.

Sipas të dhënave të autoriteteve shtetërore, vija kufitare më e gjatë e Bosnjës është me Kroacinë, gjithsej 1001 kilometra, pastaj me Serbinë, 302 kilometra dhe me Malin e Zi, 225 kilometra.

Deri më tani, çështjen e kufirit, Bosnje dhe Hercegovina e ka të rregulluar vetëm me Malin e Zi përmes një marrëveshjeje, e cila ishte nënshkruar në Vjenë më 2015.

Cilat territore janë të diskutueshme me Serbinë?

Në negociatat ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë diskutohen për katër territore në lindje të Bosnjës, të cilat gjithsej mbulojnë 40 kilometra katrorë.

Ato janë: Zona e Hidrocentralit në Zvornik, Hidrocentrali Bajina- Bashta, pjesa e hekurudhës Beograd-Bar dhe enklava Mexhureçje, e cila është pjesë e komunës së Rudos, por është e rrethuar tërësisht nga territori i Pribojit në Serbi. Dy komisionet shtetërore janë takuar për herë të fundit më 29 qershor të vitit 2010. Ndërkohë, ka pasur përpjekje për të gjetur një kompromis, por gjithçka ka mbetur në nivel jozyrtar.

Marrëveshja për trekëndëshin kufitar ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi është nënshkruar në vitin 2019, por përveç kësaj praktikisht asgjë nuk është bërë për më shumë se dhjetë vjet, tha për Radion Evropa e Lirë, Zheljko Obradoviq, zëvendëskryetar i Komisionit për Kufijtë në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Mendoj se në rend të parë për këtë çështje nevojitet vullneti politik për të filluar zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe për t’u dhënë nxitje shtesë organeve të ekspertëve, komisioneve kufitare, madje edhe sektorëve të tjerë, për ta zgjidhur këtë çështje. Gjithçka që është kërkuar nga Beogradi nuk është e pazgjidhshme”, thekson Obradoviq.

Obradoviq shton se Beogradi kërkoi që kufiri të korrigjohej në katër lokacionet në të njëjtën kohë duke e vënë këtë edhe si kusht për vazhdimin e negociatave.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (RFE) nëse ka pasur veprime konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Komisioni për Kufijtë i Bosnje dhe Hercegovinës, përveç që nuk është takuar me kolegët e Komisionit nga Serbia për më shumë se një dekadë, nuk ka mbajtur as takim të vetin që nga muaji korrik kur autoritetet e Republikës Sërpska (një nga dy entitetet e Bosnje dhe Hercegovinës) bojkotuan pjesëmarrjen në institucionet shtetërore në nivel qëndror.Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonin në Novi Sad, thotë se kufijtë nuk janë e vetmja çështje e hapur ndërmjet shteteve të ish-Jugosllavisë. Sipas tij, ekzistojnë edhe problemet e personave të pagjetur, të drejtave të pakicave dhe çështje të tjera.

Megjithatë, sipas tij, çështja e kufijve do të ishte mirë të zgjidhej më herët pasi mund të çojë në tensione të caktuara.

“Është e çuditshme që ka kaluar më shumë se një çerek shekulli nga përfundimi i luftës dhe ato çështje nuk janë zgjidhur ende. Për secilën çështje ekzistojnë komisionet ndërshtetërore, të cilat mund të ofrojnë zgjidhje, të cilat pastaj mund të diskutohen”, thekson Popov.

Ai rikujton se problem në këtë rast janë edhe lidhjet e veçanta ndërmjet Serbisë dhe Republika Sërpskas, sepse shumë çështje zgjidhen në relacionin Beograd-Banja Llukë, në vend se të zgjidhen mes Beogradit dhe Sarajevës.

“Kjo flet edhe për qëndrimin e Serbisë ndaj Republika Sërpskas, por edhe Bosnje dhe Hercegovinës në tërësi”, tha Popov.

Në fillim të vitit 2019, kryetari i atëhershëm i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, përmes një letre të hapur i kishte bërë thirrje Kroacisë që të ratifikojë dhe Serbisë të nënshkruajë një marrëveshje kufitare me Bosnje dhe Hercegovinën.

“Duke pasur parasysh atmosferën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, e cila kohët e fundit është shoqëruar me provokime, ide ogurzeza për përcaktimin e kufijve të rinj bazuar në parimet etnike, ndërlidhjet tendencioze dhe dashakeqe të Bosnje e Hercegovinës me marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe aktivitetet dhe mesazhet e ngjashme fqinjësore të këqija, besoj se pikërisht tani, është koha, të ndryshohen paradigmat aktuale, të cilat çojnë në një rrugë pa krye. Ajo që Ballkani Perëndimor ka më shumë nevojë nuk janë politikat dhe ndarjet e reja hegjemoniste, por politikat pozitive, dialogu, paqja, bashkëpunimi i ndërsjellë dhe progresi”, pati thënë Zvizdiq.

Shkëmbimi i territoreve ka ekzistuar si një nga mundësitë në tryezën e diskutimeve në fund të vitit 2017.

Atëbotë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës propozoi shkëmbimin e territoreve në komunat Rudo dhe Priboj mbi parimin “metër për metër”.

Anëtari i atëhershëm i Presidencës, Mladen Ivaniq, i tha Radios Evropa e Lirë se Bosnje dhe Hercegovina iu përgjigj negativisht kësaj ideje.

“Është një hapësirë që nuk është problematike nga pikëpamja etnike dhe as nuk mund të prodhojë ndonjë pasojë negative në aspektin e marrëdhënieve etnike”, thekson Ivaniq, sipas të cilit Serbia synon të korigjojë pjesë të territorit në Rudo.

Eksperti i pronave shtetërore, Muharem Cero, beson se çështja kyçe në mosmarrëveshjen e demarkacionit është lumi Drina.

“Bëhet fjalë për potencialin energjetik të lumit Drina dhe çështja kyçe e demarkacionit mes këtyre dy vendeve është përcaktimi i kufijve në Drinë”, thekson Cero.

Komisioni Kufitar i Bosnje dhe Hercegovinës thotë se çështja e hidrocentraleve nuk duhet të jetë patjetër një çështje e mosmarrëveshjeve kufitare dhe se ajo mund të zgjidhet nga ekspertë në fushën e energjisë, me një marrëveshje të veçantë dypalëshe për përdorimin e këtyre objekteve energjetike. Kjo, sipas tyre është edhe praktikë evropiane.

Hidrocentralet në Zvornik dhe Bajina-Bashtata në lumin Drina kanë një kapacitet prej 400 megavatësh. Energjia elektrike e prodhuar në këto hidrocentrale përdoret plotësisht vetëm nga Serbia.

Të dyja hidrocentralet janë ndërtuar nga Republika e Serbisë në kohën kur ishte pjesë e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).

Për dekada, Serbia ka përfituar nga potenciali i lumit Drina pa i bërë asnjë shpagim Bosnje dhe Hercegovinës.

Problemet e tilla datojnë që nga shpërbërja e Jugosllavisë së atëhershme kur resurset e prodhimeve të energjisë së një shteti mbetën në kufijtë e shtetit tjetër.

Marrëveshja me Kroacinë, në pritje të ratifikimit

Sa i takon Kroacisë, të diskutueshme janë kufiri rreth brezit detar të Bosnje dhe Hercegovinës pranë Neumit, majës së gadishullit Klek dhe shkëmbinjve Shkol i Madh dhe Shkol i Vogël, si dhe demarkacioni në lumin Una afër Kostajnicës.

Marrëveshjen të dyja vendet e kanë nënshkruar në vitin 2005, pas së cilës pritej ratifikimi në të dy parlamentet shtetërore.

Megjithatë, kjo nuk ndodhi.

“Gjithçka është harmonizuar, por Zagrebi zyrtar ka paraqitur një kundërshtim për shkak të kufirit në det, i cili mbulon rreth pesë kilometra, sepse Kroacia ka arritur në disa informacione të reja”, thotë Zheljko Obradoviq.

Çështja e kufirit mes Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë u zgjidh kryesisht në vitin 1999, përmes një marrëveshjeje midis kryetarit të atëhershëm të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviq, dhe ish-presidentit kroat, Franjo Tugjman.

Ata ishin marrë vesh që kufiri detar të ishte vija e mesme midis dy vendeve.

“Unë mendoj se ka vullnet politik për zgjidhjen e këtij problemi, por mendoj se askush nuk është i prirë të merret me të, sepse ka një marrëveshje dhe gjithçka funksionon”, tha Zheljko Tërkanjic, gazetar i gazetës Jutarnji List të Zagrebit.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se për zgjidhjen e këtij problemi, pengesë paraqesin autoritetet lokale.

“Sapo të hapet çështja e asaj marrëveshjeje, menjëherë paraqiten zëra nga autoritetet lokale dhe gjithmonë del dikush që është i prirë të krijojë probleme”, tha Tërkanjic.

Ai rikujtoi se, duke pasur parasysh se tashmë ekziston një marrëveshje për kufirin ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë nuk ka nevojë që çështja të shndërrohet sikur Gjiri i Piranit, për të cilin Kroacia dhe Sllovenia iu drejtuan procesit të arbitrazhit.

Megjithatë, Muharem Cero vlerëson se ndërtimi i urës së Peleshacit tashmë në njëfarë mënyre ka krijuar paragjykimin se kjo mosmarrëveshje është në favor të Kroacisë.

“Zgjidhja e atij kufiri përcakton gjithashtu qasjen e Bosnje dhe Hercegovinës në ujërat ndërkombëtare”, thotë Cero.

Ai vlerëson se kjo është çështje edhe e integritetit të shtetit, sepse fqinjët e Bosnje dhe Hercegovinës nuk e kanë perceptimin për këtë vend siç e kanë për veten e tyre dhe se, sipas tyre, Bosnje dhe Hercegovina është një “vend në pritje”.

Komisioni Kufitar i Bosnjës rikujton se, sot ka shtete anëtare të BE-së që nuk i kanë zgjidhur çështjet e tyre kufitare, siç është Gjermania dhe Holanda apo Portugalia dhe Spanja.

Kufijtë në Ballkanin Perëndimor u vendosën nga një komision ndërkombëtar i arbitrazhit, i njohur si Komisioni i Badinterit në vitin 1991, i cili siguroi një kornizë për formimin e shteteve të pavarura në territorin e ish RSFJ-së.

Komisioni u krijua në të njëjtin vit nga Këshilli i Ministrave të Komunitetit Ekonomik Evropian (KEE – paraardhëse e Bashkimit Evropian), me qëllim zgjidhjen paqësore të krizës në Jugosllavi, e cila atëherë ishte në prag të shpërbërjes.

Kornizë për krijimin e shteteve të pavarura ishte Kushtetuta jugosllave e vitit 1974.

Anëtarët e komisionit ishin kryetarët e gjykatave kushtetuese të shteteve anëtare të BEE-së, ndërsa emri me të cilin ajo njihet në publik është vënë sipas kreut të komisionit, Robert Badinter, president i atëhershëm i Gjykatës Kushtetuese të Francës. /rel/

Go to TOP