Pse agjencitë e fshinë fotografinë e parë zyrtare të Princeshës së Uellsit pas operacionit?

Associated Press

Fotografia e parë zyrtare e princeshës së Uellsit, Kate Middleton, prej se ajo u operua në stomak para dy muajve, u tërhoq nga qarkullimi nga Associated Press dhe disa agjenci të tjera të lajmeve, sepse u zbulua se fotografia ishte e manipuluar.

Pallati Kensington e publikoi fotografinë të dielën, pas shumë thashethemeve për vendndodhjen e princeshës, e cila nuk ishte parë në publik prej dhjetorit.

Por, përpjekjet për t’u dhënë fund thashethemeve dhe supozimeve mund t’i jenë ktheyer bumerang Pallatit Kensington, pasi vëzhguesit kanë vërejtur mospërputhje në hollësitë e fotografisë së publikuar nga ai.

Derisa nuk kishte sugjerime se fotografia ishte e rreme, Associated Press e tërhoqi atë nga qarkullimi sepse ajo nuk përputhej me standardet e saj për fotografitë.

Princesha e Uellsit Kate kërkoi falje “për shkaktimin e hutimit” me këtë fotografi.

Në një komunikatë të publikuar nga Pallati Kensington në rrjetet sociale, Kate tha: “Sikur çdo fotografe amatore, edhe unë kohë pas kohe eksperimentoj me editim”.

Çfarë ndodhi?

Fotografia u shfaq në kanalet në media sociale të Princit dhe Princeshës së Uellsit në orën 9:00, së bashku me një mesazh nga Kate, e cila uroi Ditën e Nënës, që u festua të dielën në Britani të Madhe.

Fotografia u publikua pas disa javëve thashetheme në rrjetet sociale për atë se çfarë kishte ndodhur me Kate prej se ajo u largua nga spitali më 29 janar, ku kishte qëndruar gati dy javë pas operimit të planifikuar.

Ajo nuk ishte parë në publik prej Ditës së Krishtlindjes.

Në fotografi, Kate duket shëndosh e mirë duke qëndruar ulur në një karrige, e rrethuar nga tre fëmijët e saj plot buzëqeshje. Fotografinë e kishte bërë burri i saj, Princi William, trashëgimtar i fronit, në fillim të javës që shkoi në Windsor.

“Faleminderit për urimet e tuaja të këndshme dhe mbështetjen e vazhdueshme në dy muajt e fundit”, tha Kate.

Kjo ngjarje u bë shumë shpejt lajmi kryesor në Britani dhe fotografia i mori gati 50 milionë shikime në rrjetin social X deri kah fundi i asaj dite.

Megjithatë, nga studimi i fotografisë u zbulua se ajo kishte mospërputhje, të cilat sugjeruan se ishte ndryshuar, për shembull, dora e majtë e Princeshës Charlotte me mëngët e xhemperit të saj.

Kah fillimi i mbrëmjes, Associated Press dhe agjencitë e tjera, përfshirë Getty, Reuters dhe AFP, vendosën ta largojnë fotografinë pasi e analizuan nga afër.

Pse e fshinë fotografinë agjencitë?

Agjencitë kryesore të cilat shpërndajnë fotografi për lajme, e ndalojnë publikimin e fotografive të cilat janë ndryshuar dukshëm.

Associated Press tha se standardet e saj redaktoriale theksojnë se fotografitë duhet të jenë të sakta.

Associated Press tha se nuk përdor fotografi të ndryshuara, apo fotografi të manipuluara digjitalisht.

Go to TOP