Provinca separatiste gjeorgjiane, Osetia Jugore kërkon të bashkohet me Rusinë

Autoritetet në provincën separatiste pro-ruse të Osetisë Jugore të Gjeorgjisë njoftuan të premten se do të mbajnë një referendum për bashkimin me Rusinë.

Presidenti në largim, Anatoli Bibilov ka nënshkruar një dekret që bën thirrje për mbajtjen e një referendumi në Republikën e Osetisë Jugore, njoftoi zyra e tij, duke përmendur “aspiratat historike” të banorëve të rajonit të vogël të Kaukazit si një arsye për t’u bashkuar me Rusinë, me të cilën ajo kufizohet.

Osetia e Jugut ishte në qendër të luftës ruso-gjeorgjiane në vitin 2008, pas së cilës Kremlini njohu pavarësinë e saj, si dhe pavarësinë e një province tjetër separatiste gjeorgjiane të Abkhazisë ndërsa ngriti edhe baza ushtarake atje.

Inaugurimi i presidentit Alan Gagloev, i cili fitoi zgjedhjet fundjavën e kaluar, do të bëhet pas 21 majit, raporton france24.

Glagoev pohoi më herët se presin leje prej shtetit rus për organizimin e referendumit për bashkimin Rusinë.

“Ky nuk është një proces i njëanshëm. Ne duhet të kuptojmë partnerin tonë strategjik (Rusinë). Sapo të marrim sinjalin, sapo të jetë e qartë se ka ardhur koha, ne me siguri do ta mbajmë atë referendum”, tha Glagoev.

Provincat separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, pavarësinë e të cilave e njeh vetëm Moska, kanë shprehur gjithashtu interes për t’iu bashkuar Rusisë. 

Go to TOP