Protestë në Prishtinë: Kërkohet menaxhim i ligjshëm dhe human për qentë endacakë
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka paralajmëruar protestë për nesër, më 20 qershor, në ora 12:00, kundër asaj që e cilëson si keqmenaxhim të parasë publike dhe trajtim të paligjshëm të qenve endacak nga Komuna e Prishtinës.
Protesta do të fillojë në Sheshin “Skënderbeu” dhe do të vazhdojë me marsh paqësor deri para Komunës së Prishtinës, ku qytetarë të shqetësuar, aktivistë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile do të kërkojnë:
Respektim të plotë të ligjeve dhe standardeve për strehimin e qenve;
Ndalje të projekteve që devijojnë fonde publike pa dhënë zgjidhje të qëndrueshme;
Përfshirje reale të shoqërisë civile dhe komunitetit në hartimin dhe zbatimin e politikave për trajtimin e kafshëve të pastreha.
Sipas organizatorëve, veprimet e fundit të Komunës për subvencionimin e adoptimit të qenve janë ndërmarrë në mënyrë të njëanshme dhe pa transparencë, duke fuqizuar strehime jashtëligjore dhe duke anashkaluar zgjidhjet e qëndrueshme për problemin e qenve endacak.
“Qasja aktuale jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por e përkeqëson atë,” thuhet në njoftim, ku shtohet se kërkohet një angazhim serioz, ligjor dhe etik nga institucionet vendore.
Me moton “Zgjidhje ka – por vetëm me transparencë, respektim të ligjit dhe përfshirje qytetare!”, protestuesit synojnë të rrisin ndërgjegjësimin dhe presionin publik për një trajtim më të drejtë dhe human të kafshëve endacake në kryeqytet. /Kosova.info/
