Protesta e opozitës, bllokohen disa rrugë në Tiranë

Opozita do të zhvillojë sot (11 korrik) protestën e paralajmëruar përpara kryeministrisë, që pritet të nisë në orën 20:00. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, policia bën me dije se për shkak të tubimit, disa rrugë në kryeqytet do të jenë të bllokuara për qarkullimin e automjeteve duke filluar nga ora 18:00.

Konkretisht, nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Ismail Qemali”, kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rrugën “Papa Gjon Pali II”, bulevardin “Zhan D’Ark” dhe bulevardin “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

“Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, policia i bën thirrje protestuesve që të zhvillojnë një tubim paqësor dhe të distancohen nga aktet e dhunës.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në perputhje me Kushtetutën dhe legjislancionin në fuqi. Në këtë kuadër, Policia e Tiranës bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve”, theksohet në njoftim.

Go to TOP