Prokuroria Speciale ndalon 8 persona në operacione të ndara
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me dy operacione të ndara kundër krimit të organizuar, të zhvilluara të martën më 9 qershor, ku janë arrestuar gjithsej tetë persona.
Sipas Prokurorisë, operacionet janë realizuar nën udhëheqjen e PSRK-së dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa në të dy rastet janë sekuestruar prova relevante që do të përdoren në procedurat penale.
Në rastin e koduar “White Star”, janë arrestuar pesë persona, të dyshuar për kryerjen e veprave penale: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar; blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrim parash.
Ndërsa në rastin e dytë, të koduar “Mega”, janë arrestuar tre persona, të dyshuar për: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar; financim të terrorizmit; shpëlarje parash; mashtrim; detyrim; si dhe import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse, si dhe blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope.
Sipas Prokurorisë Speciale, rastet hetimore janë mbështetur nga institucione ndërkombëtare të drejtësisë, përfshirë FBI, Europol, autoritetet policore të Belgjikës, Francës, Holandës dhe Kanadasë (RCMP), si dhe OPDAT nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për garantimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. /Kosova.info/
