Profesoresha e matematikës, Shpresa Jashari Krasniqi, i jep lamtumirën arsimit pas dekadash përkushtimi
Një karrierë e ndritur mbyllet me mirënjohje dhe emocione të shumta
Profesoresha e matematikës, Shpresa Jashari Krasniqi, është pensionuar pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme në mësimdhënie. Gjatë dekadave të punës së saj, ajo ka edukuar breza të tërë nxënësish në shkollën “Iliria”, “Nazim Gafurri” dhe së fundmi “Meto Bajraktari” në Prishtinë duke lënë një trashëgimi të çmuar në arsim.
Në këtë moment të rëndësishëm, kolegë, familjarë dhe ish-nxënës shprehën mirënjohjen e tyre për kontributin e saj të jashtëzakonshëm.
Dija Krasniqi Mustafa, e cila ka punuar me të në shkollën “Nazim Gafurri”, e kujtoi me fjalë të ngrohta momentin kur Shpresa e priti si kolege e re në profesion duke e ndihmuar të përshtatej dhe të ndërtonte marrëdhënie të mira me kolektivin.
“Sot po ju shkruaj me mirënjohje të thellë, pasi kur fillova punën në shkollën ‘Nazim Gafurri’ në Prishtinë, ju ishit kolegia ime e parë. Më pritët me këshilla të vlefshme, më orientuat dhe më ndihmuat të krijoj një raport të shkëlqyer me kolektivin, për çka ju jam shumë falënderuese”, shkroi Krasniqi Mustafa.
Ajo shtoi se, sot, në këtë ditë të veçantë, festoni ditëlindjen dhe përmbyllni një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm në arsim, pas dekadash duke ligjëruar lëndën e matematikës në shkollën ‘Meto Bajraktari’ në Prishtinë.
“Ju uroj nga zemra gëzuar ditëlindjen dhe pensionimin! Qofshi gjithmonë me shëndet dhe lumturi. Jam me fat që kam një grua të axhës si ju!”, ka përfunduar ajo.
Një tjetër koleg, profesori i biologjisë, Bekim Aliu, theksoi ndikimin e profesoreshës Krasniqi në përdorimin e teknologjisë në arsim. Ajo ka krijuar një program kompjuterik që ka lehtësuar ndjeshëm përpunimin e të dhënave statistikore për mësimdhënësit duke kursyer kohë dhe rritur saktësinë.
“Se teknologjia ka ndikim të madh në punën e mësimdhënësve, kjo nuk është vënë në dyshim asnjëherë. Programet e shumta kompjuterike e kanë lehtësuar në masë të madhe punën e mësimdhënësve, veçmas kur bëhet fjalë për përpunimin e të dhënave statistikore, me të cilat ne si mësimdhënës-kujdestar duhet bërë bilancin statistikor, si në fundin e gjysmëvjetorit të parë, ashtu edhe në përfundimin e vitit shkollor”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se, programi i punuar nga profesoresha Shpresa Krasniqi e ka lehtësuar tejmase përpunimin e të dhënave statistikore duke kursyer kohën e mësimdhënësve, e për më tepër në saktësinë që ka ai program.
“Ç’prej se jemi duke e përdorë këtë program, të dhënat statistikore asnjëherë nuk kanë qenë sfidë për mësimdhënësit. Me këtë rast falënderoj profesoreshën Shpresa, e cila me programin e saj, ka sjellë një risi në përpunimin e statistikave, që në të kaluarën ka qenë sfidë në vete”, ka përfunduar profesor Aliu.
Në këtë ditë të veçantë, krahas pensionimit, Shpresa Jashari Krasniqi festoi edhe ditëlindjen e saj. Fortuna Krasniqi, vajza e saj, i shprehu dashurinë dhe krenarinë për rrugëtimin e saj të gjatë si mësimdhënëse e matematikës.
“Sot, tek po festojmë ditëlindjen tënde, festojmë gjithashtu rrugëtimin tënd të suksesshëm dhe të jashtëzakonshëm si mësimdhënëse e matematikës! Pas shumë vitesh përkushtim, durim dhe dashuri për mësimdhënien, erdhi momenti për të shijuar frytet e punës tënde të palodhshme”, ka shkruar Fortuna.
Ti nuk ishe vetëm një arsimtare e matematikës, por një udhërrëfyese për breza të tërë nxënësish duke u mësuar jo vetëm numrat dhe formulat, por edhe disiplinën, logjikën dhe besimin në vetvete. Unë kam pas fatin të t’kem edhe arsimtare.
“Jemi krenarë për gjithçka që ke arritur dhe falënderues për gjithë dashurinë e përkushtimin që ke dhuruar jo vetëm në shkollë, por edhe në familje. Urojmë që vitet në vazhdim të jenë të mbushura me gëzim, shëndet dhe shumë dashuri! Të duam shumë!”, ka shkruar ajo.
Me një kontribut të pashlyeshëm në arsim dhe një ndikim të madh te kolegët dhe nxënësit, profesoresha Shpresa Jashari Krasniqi i jep lamtumirën klasës, por jo edhe dashurisë për dijen dhe mësimdhënien, të cilën e ka bërë me përkushtim të pashoq. /Kosova.info/
