Prizreni problem me mbeturinat

Prezantimi i Prizrenit si qytet i trashëgimisë kulturore dhe historike kërkon angazhimin e qytetarëve dhe të institucioneve, së pari për ta mbajtur të pastër atë. Qyteti pastrohet gjatë 24 orëve, por kërkohet ndihma e qytetarëve për respektim të rregullave për hedhjen e mbeturinave.

Prizreni nuk u përket vetëm banorëve lokalë. Ka vite që ai është kthyer në destinacion shumë të pëlqyer për  vizitorët. Por jo gjithçka përkon me emrin e një qyteti turistik. Për shumë banorë të Prizrenit, mungon vetëdijesimi për ta mbajtur pastër.

“Prizreni dhe Peja janë vendet kryesore të turizmit, kemi turistë, shyqyr zotit që po vijnë, por ne duhet me u vetëdijesuar shumë, me ndryshuar mentalitetin dhe me mbajt pastër”, tha qytetari, Ilir Qollaku.

Edhe qytetarë të tjerë mendojnë që ndërgjegjësimi duhet të nisë nga familja.

“Prej kompanive është pastër, veç populli nuk e mban pastër, duhet me mbajt qytetin apo mëhallën tonë si shpinë tonë, se qyteti është pija jonë”, theksoi Bekim Alishani.

Për Vullnet Çavollin, njerëzit janë fajtor se nuk po kujdesen për qytetin.

“Po e gjuajnë kudo bërllokun, prej prindërve fillon edukimi, nëse marrin edukatë nga prindërit, atëherë edhe fëmijët edhe të rriturit nuk i gjuajnë mbeturinat”, theksoi ai.

Kompania “Ekoregjioni” ka shtuar orarin e pastrimit që nga 1 qershori. Burim Shala, kryeshef i kësaj kompanie, thotë se në çdo vend publik po vihen shirita, por as kjo mënyrë nuk funksionon.

“Ka turistë që i shikojnë, i fotografojnë, prandaj ne qesim shirita mos të hedhen mbeturina, por kjo nuk po respektohet. Ne javën e kaluar e kemi pas një takim me kryetarin e komunës, me drejtorinë e shërbimeve publike, me policinë ku kemi kërkuar nga ta, që përmes inspektoratit të dalin të kontrollohen edhe të gjobiten. Ata kanë kërkuar edhe nga ne që të bëjmë disa fotografi të qytetarëve dhe bizneseve që gjuajnë mbeturina”, theksoi ai për RTK.

Komuna dhe Ekoregjioni kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që terreni të inspektohet, të shfrytëzohen kamerat dhe të pabindurit të ndëshkohen me gjoba mandatare.

” Apeli im është që po i porositi nga këtu që të kenë kujdes të gjithë ti kenë mbeturinat në kontejnerët e vet dhe të mos i ekspozojnë në vende publike, përndryshe do të kenë zero tolerancë. Gjoba mandatore fillon nga 100 euro, deri në 3 mijë euro, do të thotë për biznese është 3 mijë euro, për qytetar 100 euro, andaj në këtë pikë, nuk do të kemi tolerancë fare”, theksoi Islam Ukimeri, drejtor i Inspektorateve në Prizren.

Banorët thonë se duhet të ketë më shumë bashkëpunim me kompaninë pastrimi, që do të ndikonte në mbajtjen e pastër të ambientit në të gjithë qytetin.

Go to TOP