Pritet takimi i ri trepalësh në Bruksel

Liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë përfunduar takimet e ndara dypalëshe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Siç mëson Radio Evropa e Lirë, pritet që të mbahet rundi i ri trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Kjo do të jetë hera e parë që Kurti dhe Vuçiq do të takohen sërish brenda një dite në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Pak pas orës 10:30, Kurti dhe Vuçiq zhvilluan rundin e ri të bisedimeve, në prani të shefit të diplomacisë evropiane Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu po qëndron edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ky është takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.

Borrell pret fleksibilitet nga Kosova dhe Serbia

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më herët gjatë 18 gushtit tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, teksa palët po takohen në Bruksel në rundin e ri të dialogut.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.

Go to TOP