Prishtina kërkon nga autobusët e Podujevës respektimin e marrëveshjes

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjes shumëpalëshe për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, përfshirë linjat që vijnë nga Podujeva.

Në reagim thuhet se marrëveshja është rezultat i bashkëpunimit mes Komunës së Prishtinës, Komunës së Podujevës, Ministrisë së Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, dhe Shoqatës së Operatorëve të Transportit.

Komuna ka shprehur shqetësim për raportimet se disa operatorë nga Podujeva po anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës duke ndaluar në zona të paautorizuara, si te Xhamia e Llapit.

“Veprime të tilla janë shkelje të marrëveshjes dhe rrezikojnë sigurinë në trafik dhe rendin urban,” thuhet në njoftim. “Nuk do të lejohen dhe ndaj tyre do të merren masa ligjore e administrative.”

Komuna kërkon që Ministria përkatëse të revokojë licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin zyrtar, ndërsa thekson se qendra e Prishtinës nuk mund të akomodojë ndalesa të transportit ndërurban për shkak të ngarkesës urbane dhe fluksit në rritje.

Po ashtu, njoftimi rikujton se Komuna e Podujevës ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare për draft-marrëveshjen e përhershme, duke e bërë edhe më të rëndësishme zbatimin e marrëveshjes së përkohshme.

Komuna e Prishtinës apelon për respektim të rregullave dhe bashkëpunim konstruktiv nga të gjithë operatorët, duke theksuar se mbetet e hapur për dialog, por do të veprojë me vendosmëri për të mbrojtur interesin publik. /Kosova.info/


Go to TOP