Prishtina investon në 5,600 dollapë për nxënësit e shkollave fillore

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për një investim të rëndësishëm në infrastrukturën shkollore duke siguruar 5,600 dollapa për nxënësit e nëntë shkollave fillore në kryeqytet. Ky projekt synon përmirësimin e kushteve arsimore dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për nxënësit.

Sipas Ramës, ky investim është një hap përpara në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen për fazën e dytë të projektit të mësimit tërëditor. Ai theksoi se ky projekt nuk do të ishte i mundur pa punën dhe angazhimin e Drejtoreshës së Arsimit, Jehona Lushaku Sadriu, dhe ekipit të Komunës së Prishtinës.

“Ky është një investim në të ardhmen e fëmijëve tanë, që synon jo vetëm përmirësimin e kushteve të mësimit, por edhe ndërtimin e një sistemi arsimor më të qëndrueshëm dhe modern,” u shpreh Rama.

Ky projekt është pjesë e angazhimeve të Komunës për të arritur standarde më të larta në arsim dhe për të siguruar kushte më të mira për nxënësit e kryeqytetit. /Kosova.info/


Go to TOP