Prishtina bëhet me shkollën për tregti, hoteleri dhe turizëm
Në Prishtinë është përuruar objekti i ri i shkollës së mesme të lartë profesionale “7 Shtatori”, i cili do të ofrojë kushte moderne për mësim në profilet tregti, hoteleri dhe turizëm. Ky projekt, me vlerë prej 2.2 milionë euro, është financuar nga Komuna e Prishtinës dhe Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim dhe Zhvillim (LuxDev).
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit si dhe stafi e nxënësit e shkollës.
Kryetari Rama theksoi se hapja e kësaj shkolle është një hap i madh për zhvillimin e kryeqytetit duke përmendur rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve.
“Çdo vit kemi nga 35 për qind më shumë turistë në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Vendi ynë ka pasur nevojë për një shkollë të tillë ku nxënësit do të ngrisin kapacitetet e tyre profesionale për të shërbyer nevojave të kryeqytetit dhe për të arritur nivelin evropian e botëror,” tha Rama.
Ambasadori Eric Dietz nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së Luksemburgut për arsimin profesional në Kosovë.
“Luksemburgu njihet për përkrahjen e gjerë që ka bërë në shkollat e kompetencës në Ferizaj e Prizren, dhe tash në Prishtinë. Komuna ka financuar ndërtesën, ndërsa ne kemi ndihmuar në dizajnimin dhe pajisjen e saj me mjete bashkëkohore,” u shpreh ai.
Nga Ministria e Arsimit, Lah Nitaj tha se të rinjtë që do të diplomojnë nga kjo shkollë do të jenë një krah i fortë i ekonomisë së Kosovës duke ndihmuar në pavarësinë profesionale dhe zhvillimin e vendit.
Ndërsa, drejtoresha e shkollës, Hatixhe Retkoceri, u shpreh se objekti i ri do ta shndërrojë “7 Shtatorin” në një qendër shembullore të dijes dhe profesionalizmit.
“Shkolla jonë zhvillon mësim në katër profile: kuzhinierë, asistentë të pritjes hoteliere, asistentë i udhëtimeve dhe për tregti me pakicë e shumicë. Objekti i ri do të ofrojë kushte më moderne për mësim praktik,” tha ajo.
Përurimi i kësaj shkolle shënon një hap të rëndësishëm për arsimin profesional në Kosovë duke krijuar mundësi të reja për gjeneratat e ardhshme në sektorët kyç të zhvillimit ekonomik. /Kosova.info/
