Prishtina adopton qenin e 1000-të: një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e kafshëve
Prishtina shënon një moment historik në përkujdesjen ndaj kafshëve endacake. Më 1 prill 2025, në Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacak të Kryeqytetit, do të adoptohet qeni i 1000-të duke përforcuar përkushtimin institucional për mirëqenien e tyre.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, dhe ekipin e tij, do të vizitojnë qendrën për të ndjekur nga afër këtë proces të rëndësishëm.
Ky adoptim është dëshmi e suksesit të politikave të Kryeqytetit për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë dhe integrimin e tyre në familje të dashura. Përmes fushatave të vazhdueshme ndërgjegjësuese dhe përkujdesjes së ofruar në qendër, qindra qen kanë gjetur një shtëpi të re.
Prishtina vazhdon të jetë shembull në trajtimin e përgjegjshëm të kafshëve duke inkurajuar qytetarët të kontribuojnë në adoptimin dhe mbrojtjen e tyre. /Kosova.info/
