Këshilli i Prindërve vazhdon të kundërshtoj mësimin të shtunave, Demi: Respektojini të drejtat e fëmijëve dhe mbrojini ata

Këshilli i Prindërve të Kosovës vazhdon që të kundërshtojë zëvendësimin e orëve të humbura të shtunave nga greva në arsim.

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi ka bërë të ditur se prindërit e fëmijët kanë të drejtë të mos pranojnë mësimin të shtunave.

Siç tha Demi, kjo është në kundërshtim me ligjin si dhe praktikë e dëmshme për të drejtat e fëmijëve për pushim e aktivitet jashtëshkollor.

“Prindërit e fëmijët kanë të drejtë të mos pranojnë mësimin të shtunave. Kjo është në kundërshtim me ligjin por praktikë e dëmshme për të drejtat e fëmijëve për pushim e aktivitet jashtëshkollor”, ka thënë Demi.

Andaj Demi shtoi se i këshillojnë prindërit t’i respektojnë të drejtat e fëmijëve dhe t’i mbrojnë ata.

“I këshillojmë prindërit t’i respektojnë të drejtat e fëmijëve dhe t’i mbrojnë ata”, ka thënë Demi.

Ndryshe, edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të enjten në një konferencë për media tha se zëvendësimi i orëve të humbura nuk do të bëhet këtë të shtunë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, theksoi se vendimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për zëvendësimin e orëve të humbura nga greva gjatë të shtunave, ka qenë i ngutshëm.

Ndërsa, më pas ka reaguar Ministria e Arsimit duke bërë thirrje që orët e humbura për shkak të grevës të kompensohen e për këtë arsye është bërë rishikimi i kalendarit të vitit shkollor 2022-2023.

Ndryshe, greva në tërë sektorin e arsimit ka filluar më 25 gusht dhe është pezulluar më 1 tetor. Kërkesa kryesore e tyre ishte shtesa nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Greva u pezullua deri në janar të vitit të ardhshëm dhe kjo u bë pa marrëveshje me Qeverinë.

Një ditë më pas, ministrja Nagavci publikoi vendimin për ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor, sipas së cilit orët e humbura kompensohen të shtunave, duke filluar nga kjo javë. Megjithatë, me këtë vendim nuk u pajtuan as nga SBASHK-u, as prindërit e as komunat. Ata po refuzojnë që mësimi të zëvendësohet të shtunave, duke rekomanduar të gjenden zgjidhje tjera. 

Go to TOP