​Prezantohet topi i ri i Ligës së Kampionëve

Adidas ka zbuluar sot topat zyrtarë të ndeshjeve për fazën e ligës së Ligës së Kampionëve të UEFA-s dhe Ligës së Kampionëve të Grave për sezonin 2025/26.

Topat do të përdoren nga 27 gushti, fillimisht në ndeshjet play-off të Ligës së Kampionëve. Dizajni i tyre është frymëzuar nga qielli dhe hapësira, duke nderuar rrugëtimin e ekipeve drejt finaleve të mëdha – në Budapest për meshkujt dhe në Oslo për femrat.

Topi i Ligës së Kampionëve sjell yje të konturuar në ar dhe blu, të shoqëruar me shenja zodiaku të vizatuara me dorë, ndërsa ai i Ligës së Kampionëve të Grave është frymëzuar nga hapësira e thellë dhe dritat veriore, me nuanca vjollce, gjelbër neon dhe detaje rozë e të bardha.

Përveç dizajnit, topat përfshijnë teknologjinë më të avancuar të adidas: sipërfaqe PRISMA për kontroll më të madh, ndërtim termikisht të lidhur për qëndrueshmëri dhe një bërthamë CTR-CORE që mban formën dhe ajrin për performancë maksimale.

Adidas ka theksuar gjithashtu aspektin ekologjik, duke përdorur më shumë materiale biologjike se kurrë më parë, si fibra misri, kallam sheqeri, tul druri dhe gome natyrale. Gjithashtu, 1% e të gjitha shitjeve neto globale të këtyre topave do të dhurohet përmes programit Common Goal, që synon të krijojë ndikim social pozitiv nëpërmjet futbollit.


Go to TOP