Prestreshi: Kurti duhet të kërkojë falje dhe t’ia japë PDK-së Qeverinë për të krijuar mazhorancën e re
Aktivisti politik, Valon Prestreshi ka dalë me një propozim konkret për të zgjidhur bllokadën institucionale në vend duke e konsideruar një marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës si të vetmen alternativë për të krijuar institucione stabile.
Sipas tij, zgjidhja që do të siguronte një mazhorancë të gjerë me 92 deputetë përfshin tre hapa kryesorë:
1. Kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë falje publike për përdorimin e fjalës “hajvanë”.
2. Vetëvendosje duhet të bëjë marrëveshje me PDK-në duke ia dorëzuar kësaj të fundit postin e Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit.
3. Ndërsa posti i Presidentit të Kosovës do të vazhdojë të mbahet nga VV.
“Vetëm kështu mund të bëhet një mazhorancë solide që do t’i jap fund krizës politike. Këto dy parti, në thelb kanë të njëjtën bërthamë dhe për këtë arsye do të funksiononin për mrekulli,” ka deklaruar Prestreshi duke theksuar se koha e përplasjeve duhet të lërë vend për marrëveshje dhe bashkëpunim shtetformues. /Kosova.info/
