KULTURË

Prestigjiozja “Variety” shkruan për sukseset e grave kosovare në industrinë e filmit

Tashmë nuk janë të rralla rastet kur mediumet prestigjioze i dedikojnë artikuj sukseseve të artistëve shqiptarë.

Revista prestigjioze, Variety, së fundmi ka bërë një shkrim për sukseset e grave kosovare në industrinë e filmit.

Në bazë të këtij mediumi, ngritja e industrisë së filmit kosovar është një nga historitë më të pamundura të suksesit në kinemanë botërore sot, duke pasur parasysh sfondin e një lufte shkatërruese, pasojat e së cilës ndihen edhe në këtë kohë.

“Në çdo rrethanë do të konsiderohej një vit i jashtëzakonshëm për një vend prej dy milionë banorëve, që hapi shkollën e tij të parë të filmit 20 vjet më parë”, thuhet në shkrimin e mediumit.

“Ajo luftë ka lejuar një brez të ri të grave që të gjejnë zërin e tyre përmes filmit dhe të sjellin përvojat e tyre në ekran”.

“Filmi “Hive” bazohet në historinë e vërtetë të një gruaje e cila lufton kundër qëndrimeve kokëfortë patriarkale të fshatit të saj në kërkimin për pavarësi. Në “Në kërkim të Venerës”, një grua e re që lufton me seksualitetin e saj të ri, përpiqet të gjejë veten në një qytet të vogël ku një vajzë pritet mbi të gjitha për të mbrojtur emrin e familjes. Dhe “Kodra ku ulërijnë luaneshat” tregon historinë e tre grave të reja me shpirt të lirë që përpiqen të imagjinojnë një të ardhme përtej traditave mbytëse të atdheut të tyre”.

Regjisorja nga Kosova, Kaltrina Krasniqi, në intervistën e dhënë për të njëjtin medium, ka shpjeguar se gratë në kinemanë kosovare kishin kohë që kishin rënë në role dytësore. Pas luftës, regjisoret femra filluan të rishkruajnë skenarin.

“Shoqëria jonë ka kaluar nëpër disa ndryshime dramatike në një kohë shumë të shkurtër. Unë nuk mund ta imagjinoj një jetë ku do të më duhej të negocioja lirinë time në çdo hap. Për mua të ndihem ashtu siç ndihem, të jem aq e lirë dhe e pavarur sa jam, kjo është lufta që bëri nëna ime”, ka thënë Krasniqi, në intervistën e dhënë për Variety.

Kosova mbulon një vit të suksesshëm për industrinë e filmit, i cili filloi me debutimin e Blerta Bashollit, “Hive”, duke fituar tre çmime, përfshirë çmimin e madh të jurisë, në Festivalin e Filmit “Sundance”, sipas Variety.

“Është një komunitet i vogël dhe ne mendojmë se jemi duke u lidhur më shumë”, tha regjisorja e “Hive”, Blerta Basholli.

“Nuk është si një garë. Unë mendoj se ne jemi thjesht të lumtur për sukseset e njëri-tjetrit, dhe ne po përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe ta shtyjmë të ecim përpara”.