Presidentja Osmani në Itali u provokua edhe me seksizëm, u pyet çuditshëm edhe për prova e për ‘krishterimin’ e Rugovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Italisë dhe Vatikanit ku është takuar edhe me Papën. Por, siç pritej, në Itali u takua edhe me gazetarët italianë me të cilët… e bëri një intervistë interesante ku duket se u provokua edhe me një pyetje seksiste. Çka tha presidentja e Kosovës?

Në intervistën e publikuar në “Corriere Della Sera”, të realizuar nga Francesco Battistini janë bërë edhe disa pyetje të pazakonta, siç ishte ajo për konvertimin e presidentit Ibrahim Rugova në të krishterë.

Çfarë provash keni?

Presidentja Osmani ndoshta nuk është mësuar që në Kosovë t’i kontestohen deklaratat e saj me pyetjen: “çfarë provash keni?”. Ajo u pyet për një gjë të tillë kur përmendi bashkëpunimin e pretenduar të Serbisë me Grupin Wagner.

Çfarë provash ka Vjosa Osmani?

“Nuk mund t’ju ofrojë detaje sepse është informacion i klasifikuar. Por ne po punojmë me aleatët perëndimorë që të sigurohemi se këta paramilirarë të lidhur me Wagnerin dështojnë në planin e tyre për ta destabilizuar Kosovën.” – u shpreh ajo.

Një përgjigje pak më interesante e kishte dhënë Albin Kurti më herët kur ishte pyetur për të njëjtën gjë. Mes tjerash ai kishte thënë se terreni nga i cili kishin pozuar disa prej këtyre paramilitarëve të lidhur me grupin Wagner ishte rural dhe i paidentifikueshëm. Më pas, e kishte përmendur se ishte informacion i klasifikuar, po ashtu.

Pse shpërtheu kriza përsëri?

Sipas Vjosa Osmanit, për dy arsye: ndikimi i rritur rus në Serbi dhe bandat në Serbi të nxitura nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Për tango duhen dy veta

Ajo u pyet në lidhje me deklarimet e Kurtit se një marrëveshje me Serbinë mund të ishte e mundshme.

“Nga pikëpamja jonë, po. Por të kërcesh tango i kërkon dy vetë. Dhe Serbia tash për tash vetëm do të krijojë krizë pas krize.” – tha znj. Osmani në përgjigjen e saj.

Një deklaratë tjetër interesante është edhe krahasimi që i bën rastit të Kosovës me Ukrainën.

“Ajo çka ndodhi në vitin 1999, kur një pushtet demokratik erdhi për të luftuar kundër tiranisë, është diçka që Putini s’e pranon dot. Për të, Kosova është një gabim historik…” – është shprehur ajo, duke thënë që Putini e lufton Kosovën për shkak të vlerave që ka.

Haga?

Ajo shprehu fjalët e zakonshme: agresori ishte Serbia, ne ishim viktimat; UÇK-ja bëri luftë për çlirim; dhe nuk do të kishte ndërhyrje në kurrfarë mënyre në punën e Gjykatës.

Po ashtu ajo kërkoi që Putini të gjykohej për krime lufte në Hagë.

Ndërkohë, mbërrijmë te pyetja për Rugovën. Ta lexojmë fillimisht pyetjen: “Ju po ashtu jeni takuar me Papën në Romë. Por pse ka kaq shumë mister në Prishtinë rreth Ibrahim Rugovës, babait historik dhe presidentit të parë të Kosovës, që u konvertua në të krishterë në shtratin e vdekjes? A nuk doni të shqetësoni shumicën myslimane?

Vjosa Osmani përgjigjet në mënyrë diplomatike duke thënë se në Kosovë ka harmoni religjioze.

“Figura e Rugovës është e vështirë të shpjegohet me fjalë.” – thotë znj. Osmani, derisa nis lavdërimet e tjera për të.

Seksizëm?

Por, asaj duket se iu bë edhe një pyetje që tingëllon seksiste: “Ju jeni mes lidereve shtetërore më të reja në botë. Gati e të njëjtës moshë si Jacinda Arden, kryeministrja e Zelandës së Re që u dorëhoq për shkak të stresit dhe që u godit nga fragjiliteti i saj femëror…”

“Për shkak të miqësisë me të, kur lexova për vendimin e saj, sinqerisht u shokova. Por s’e besoj që u largua shkaku i stresit apo shkaku i roleve të shumta private e publike. Ju siguroj se puna e një burri në politikë është po aq stresuese sa e një gruaje.”

A mjafton një distancim i tillë? Vetëm kaq? Vetëm kaq!

Go to TOP