Presidentja Osmani kujton masakrën në Beleg: 26 vite pa drejtësi për 46 shqiptarë të ekzekutuar
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 26-vjetorin e masakrës së Belegut, një nga krimet më të rënda të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Më 29 mars 1999, në fshatin Beleg të Deçanit, forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të regjimit serb kryen një masakër makabre, duke ndarë burrat dhe të miturit nga gratë e fëmijët, për t’i ekzekutuar më pas 46 civilë shqiptarë.
“Një çerek shekulli më parë, në oborrin e një shtëpie në Beleg, regjimi gjenocidal i Serbisë shënoi njollën e zezë të një prej krimeve më të tmerrshme ndaj popullatës sonë civile”, thekson Presidentja Osmani.
Ajo rikujton se edhe sot, pas 26 vitesh, fati i disa banorëve të zhdukur me dhunë mbetet i pazbardhur, ndërsa plagët e kësaj tragjedie janë ende të hapura për familjet dhe për gjithë shoqërinë kosovare.
“Drejtësia mbetet borxh ndaj tyre dhe ndaj historisë sonë”, shton Presidentja në mesazhin e saj përkujtimor.
Masakra e Belegut vazhdon të jetë një nga dëshmitë më të rënda të mizorive të kryera gjatë luftës, për të cilat familjarët e viktimave dhe institucionet e Kosovës vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. /Kosova.info/
