Presidentja Osmani, a e zbuloi pafytyrësinë, dhe tradhtitë sistematike të Kurtit ndaj shtetit!?

Shkruan: Idriz MORINA

Çfarë zbuloi presidentja Osmani, në intervistën e saj të fundit?

Ajo nuk e bëri thjesht një denoncim, një shpalim të papërgjegjësisë institucionale, shtetërore dhe kombëtare të Albin Kurtit.

Ajo, sipas argumentimit të saj, e zbuloi karakterin jo serioz kombëtar, jo prej burrështetasi të Albin Kurtit, të cilën të vërtetë një pjesë e madhe e opinionit e ka pranuar në mënyrë të përmbysur, si një Patriot i palëkundur!

Ajo dëshmoi se Kurti, qeveria e udhëhequr nga ai, ka pranuar, jo vetëm të anashkalojë institucionin e Presidencës, por ka ofruar zbatimin e Asociacionit në këmbim të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Edhe atë në minutat e fundit! Pra, me këtë ofertë e pamundësonte dërgimin e statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, dhe detyrimisht, nëse ofertën do ta kishin pranuar institucionet europiane, statuti i asociacionit (i organizatës vetëmenaxhuese) do të mbetej ashtu siç është shkruar nga Bashkimi Europian, të cilën ‘kompetencë’ ia kishte deleguar Kurti! (Kjo një çështje tjetër e sjelljes antikushtetuese, dhe në kundërshtim me detyrimet e vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese dhe autorizimet e Kuvendit të Republikës për bisedimet në Bruksel).

Kjo çështje nuk përfundon vetëm me këtë karakterizim.

Ky informacion i hollësishëm nga Presidentja, i demanton rëndë mbështetësit fantazues të patriotizmit të Kurtit, se Albini kurrë se bën asociacionin në fjalë, që është kryekëput në interesin serb, sipas projektit në fjalë, i cili është hartuar fillimisht nga një komision i emëruar nga Qeveria e Kosovës, dhe që Kryeministri Kurti e lejoi në mënyrë antikushtetuese, në krye të atij organi të jetë deputetja e Kuvendit të Republikës së Serbisë.

Pra, Kurti edhe kësaj here në kundërshtim me pritjet e pjesës më të madhe të opinionit publik, dhe të cilin projeksion e ka ushqyer vetë ai, jo vetëm që ka ofruar bërjen e asociacionit, por ka ofruar edhe statutin e tij, pa e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, të cilin projekt-statut të BE-së, as që ka guxuar ta dërgojë, përkundër disa spekulimeve nga Qeveria.

Pse?

Sepse Albin Kurti ka abroguar nga detyrat kushtetuese, pra, kur hartimin e statutit të asociacionit ia ka dorëzuar në kompetencë BE-së, gojarisht dhe teknikisht, dhe po ashtu siç e përmendëm lënia e hartimit të një projektstatuti në duart e një grupi serbësh, të udhëhequr nga deputetja e partisë së Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë, Danijela Vujiçiq, duke shkelur rëndë parimet kushtetuese dhe sovraniste!

Pra, kjo e bën të qartë, se Kurti e ka pranuar jo vetëm formimin e asociacionit me shtrirje autonomie (dhe po ashtu zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë, gjë që se kishte më parë), me kompetencat e zgjeruara me Marrëveshjen e Ohrit, (pra, shprehur figurativisht më së paku asociacionin plus+ (nga ai paraprak)). Por, ai për t’u arsyetuar para militantëve të tij, dhe mbi të gjitha për të ushqyer retorikën e tij të rrejshme, ka provuar ta ‘shesë’ ‘statutin’ në këmbim të diçkaje.

Për t’mos iu mbetur borxh, edhe militantëve të VV-së, edhe disa intelektualëve të luhatshëm, që gënjejnë në emër të Kurtit, se ai se pranon as asociacionin dhe as statutin e projektuar nga BE-ja, po e sjellim deklaratën e tij në Kuvendin e Republikës, kur raportoi para Kuvendit për draft-statutin e propozuar nga “Perëndimi” për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në bazë të kësaj deklarate ai jo vetëm që e pranon në mënyrë taksative themelimin e asociacionit, por edhe e interpreton si pozitiv statutin e hartuar nga BE-ja apo të mbiquajtur edhe si të hartuar nga Perëndimi!

“Në gjykimin tim politik drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur, në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues apo minues për Republikën, në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, ka thënë kryeministri Kurti më 4 nëntor 2023!

https://xn--cdaaa.xn--d-fga.com/…/kurti…/a-67303235

Por, edhe Vjosa ka një mungesë konsistence. Nëse Asociacioni, siç e quan nganjëherë, është thjesht një organizim joqeveritar (ojq) për serbët, atëherë pse duhet që të përbënte shqetësim, ofrimi i tij për serbët, dhe aq më tepër si këmbim për anëtarësim në Këshillin e Evropës, nëse ai nuk e cenuaka rendin kushtetues, juridik të Kosovës?!

Derisa në këtë intervistë e deklaroi në një moment si të parëndësishëm, vet Presidenca për marrëveshjen e Ohrit është treguar kritike.

Po ashtu edhe pasi projektstatuti u rishkrua (u riprojektua) nga BE-ja, ajo kërkoi dërgimin e tij në Gjykatë Kushtetuese.

Presidentja është vonuar jo pak me kritika të drejtpërdrejta dhe me kohë ndaj vendimeve negative të Kurtit në bisedime.

Pasi, ajo është aq e zonja sa ta kuptonte qartësisht negativitetin e planit të ashtuquajtur franko-gjerman, dhe veçmas vendimet që mori Kurti në bisedime!

Informacionet e Osmanit, pavarësisht mungesës së konsistencës, duhet të merren seriozisht, për të kuptuar sjelljen e luhatshme dhe retorikën e rrejshme të Kurtit dhe të mbështetësve të tij, që kanë ndërtuar sistemin propagandues, të natyrës së bolshevizmit, ku mundohen ta mbivendosin përmbajtjen mbi formën, dhe interpretimi arbitrar të jetë gjithmonë mbi atë faktik!

Go to TOP