Presidenti i Kroacisë reagon pas deklaratave të bujshme: Serbia duhet ta njohë Kosovën

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka reaguar për herë të parë, pas deklaratës së tij që bëri shumë bujë, se Kosova i është aneksuar Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare.

Pas takimit me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, Milanoviq tha se ka kohë që Kosova nuk është më çështje e brendshme Serbisë.

“Hera e fundit që fola në telefon [me Vuçiqin] ishte kur pati një krizë emigrantësh në vjeshtën e vitit 2015. Është mirë që ai e kuptoi se duhej të studionte më parë deklaratën time. Kjo është shumë e mirë. Mesa duket nuk ka reaguar për të parën. Mesazhi im për ekipin në Serbi, të cilin nuk dua ta ofendoj, është se ka kohë që [Kosova] nuk është çështje e brendshme e Serbisë. Ka një serial, emri i tij përputhet shumë me atë që dua të them për tabloidet serbe. Uleni entuziazmin tuaj, ose në përkthimin gjenial kroat “Jo entuziazëm, të lutem”. Unë jam jurist, por jam politikan dhe president i zgjedhur demokratik i një vendi dhe dua që Serbia të shohë perspektivën e saj perëndimore. Nuk mendoj se duhet të theksoj lidhjen time me shqiptarët e Kosovës. Po, Serbia mbeti pa Kosovën. Është njohur ndërkohë”, ka thënë Milanoviq.

Ai tha se Serbia do të duhet ta njohë Kosovën. “Serbia do të duhet ta njohë Kosovën në një farë mënyre, kjo nuk do t’i pëlqejë tani”, tha Milanoviq

Milanoviq ka thënë tutje se lufta në Ukrainë është “fillimi i fundit të romancës në dukje serbo-ruse”.

“Përkatësisht, Serbia dhe Kosova shqetësojnë Rusinë. Në një moment, Rusia do të duhet të njohë Kosovën ose të pretendojë se e njeh atë në mënyrë që të kuptojë se çfarë po bën në Ukrainë. Dhe ku është Serbia? Një vend i vogël. Nuk është aty”, ka thënë Milanoviq.

Kurse për Kurtin e Osmanin ka thënë se ata duhet t’i japin një statut Asociacionit.

“Autoritetet e Kosovës dhe miqtë e mi Kurti dhe Vjosa, në fillim do të duhet t’i japin një lloj statusi Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës. Ata e nënshkruan atë. Por përmbushja e obligimeve i çon më tej, dhe ky është Perëndimi”, tha Milanoviç.

Go to TOP