Putin njeh pavarësinë e rajoneve në lindje të Ukrainës

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Rreth vendimit për të njohur këto rajone është informuar lideri francez, Emmanuel Macron dhe ai gjerman, Olaf Scholz, është thënë në deklaratën e Kremlinit.

Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.

Ndërkohë që Putin ka pasur adresimin, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë cituar trupat qeveritare të Ukrainës të kenë thënë se në vijën e parë të frontit në lindje të Ukrainës, janë rritur të shtënat me armë të rënda nga separatistët.

Putin ka bërë supozime gjatë fjalimit – pa ofruar të dhëna – se Ukraina po synon të ketë armë bërthamore, se gjuha ruse është margjinalizuar në Ukrainë dhe se ka plane të paspecifikuara për të eliminuar Kishën Ortodokse Ruse atje.

Ai ka thënë se Ukraina është “kukull e regjimit” të udhëhequr nga fuqitë e huaja dhe e mbushur me klane të oligarkëve.

Presidenti rus po ashtu ka thënë se NATO-ja ka “injoruar plotësisht” kërkesat e Moskës për siguri, në të cilat është përfshirë edhe ajo që Ukraina të mos bëhet pjesë e aleancës dhe për heqjen e armëve të NATO-s dhe pajisjeve tjera nga shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore.

Putin ka nënshkruar dokumentet dhe i ka kërkuar Parlamentit rus që të ratifikojë vendimin sa më shpejt që është e mundur.

Ai e ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se “jam i sigurt se do të kem mbështetjen e popullit rus”.

BE: Do të veprojmë me vendosmëri

Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar për pasoja të rënda nëse Rusia njeh pavarësinë e rajoneve Luhansk dhe Donetsk.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se njohja e dy rajoneve separatiste në Ukrainë nga ana e Rusisë, përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, integritetit territorial të Ukrainës dhe marrëveshjeve të Minskut, duke iu referuar marrëveshjeve për paqe që lidhen me lindjen e Ukrainës.

“Bashkimi Evropian dhe partnerët do të reagojnë me unitet dhe vendosmëri në solidaritet me Ukrainën”.

Ndërkohë që Putin ka qenë duke mbajtur fjalimin, kryeministri britanik, Boris Johnson, ka përsëritur se Rusia mund të presë “një paketë e sanksioneve”.

Ai e ka konsideruar veprimin e Putinit si “shkelje flagrante të sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës”.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të vendosë menjëherë sanksione.

Kjo gjë mund të jetë vendimtare për Evropën, teksa Kievi dhe liderët e Perëndimit paralajmërojnë se një sulm ushtarak rus ndaj Ukrainës mund të ndodhë shpejt.

Perëndimi thotë që më shumë se 150,000 trupa ruse gjenden afër kufirit të Ukrainës.

Kievi ka thënë më parë se “e gjithë bota” është duke shikuar veprimet e Moskës për njohjen e grupeve të stilit të vet dhe se “secili i di pasojat”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka vënë në dukje “shumë emocione”, mirëpo ka thënë se “pikërisht tani duhet të fokusohemi në përpjekjet për ulje të tensioneve. Nuk ka rrugë tjetër”.

Më herët gjatë ditës, Kuleba ka thënë se u ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mblidhen për të diskutuar të ashtuquajturin memorandum të Budapestit, “për të diskutuar veprime urgjente me qëllim të uljes së tensioneve”, bashkë me “hapa praktikë për të garantuar sigurinë në Ukrainë”.

Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Michael Carpenter, ka thënë se nëse Rusia njeh pavarësinë e rajoneve ukrainase, kjo gjë do të ishte “e mjerueshme” dhe duhet të dënohet.

Putin ka shtuar më herët gjatë ditës se nuk ka “asnjë perspektivë” për plan të paqes që t’i jepet fund konfliktit në lindje të Ukrainës, ku Kievi ka luftuar me separatistë të mbështetur nga Moska prej vitit 2014.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë javën e kaluar se beson që Putin të ketë vendosur për sulm dhe mediat në Shtetet e Bashkuara kanë raportuar se inteligjenca amerikane sugjeron se janë dërguar urdhra te komandantët taktikë të Rusisë.

Liderët separatistë kanë njoftuar për evakuime dhe mobilizime në ditët e fundit në zonat që kanë nën kontroll.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka paralajmëruar më 21 shkurt “se ne presim që ata (të dërgojnë tanket ruse në kufi me Ukrainën) në orët apo ditët në vijim”.

Reagimi i Perëndimit

Shtëpia e Bardhë tha se e kishte parashikuar këtë lëvizje të Moskës dhe do të përgjigjet menjëherë.

Me anë të një deklarate, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se “Presidenti Biden do të nxjerrë së shpejti një Urdhër Ekzekutiv që do të ndalojë investimet e reja, tregtinë dhe financimin nga qytetarët amerikanë” në rajonet separatiste.

“Ky urdhër ekzekutiv do të parashikojë gjithashtu kompetenca për të vendosur sanksione ndaj çdo personi që do që të veprojë në ato zona të Ukrainës. Departamentet e Shtetit dhe Thesarit do të kenë detaje të tjera shtesë së shpejti”, tha ajo.

Sipas zonjës Psaki, Shtetet e Bashkuara do të shpallin edhe masa shtesë në lidhje “me shkeljen flagrante të sotme të angazhimeve ndërkombëtare të Rusisë”.

Ajo sqaroi se këto janë masa shtesë, përveç atyre më të rënda ekonomike “që kemi përgatitur në koordinim me aleatët dhe partnerët, nëse Rusia ndërhyn më tej në Ukrainën”.

“Ne po vazhdojmë të konsultohemi nga afër me aleatët dhe partnerët, përfshirë Ukrainën, për hapat e ardhshëm dhe për përshkallëzimin e vazhdueshëm të Rusisë përgjatë kufirit me Ukrainën”, tha ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dënoi Rusinë për njohjen si të pavarura të rajoneve separatiste , duke akuzuar Moskën për krijimin e një preteksti për një ndërhyrje të re.

“Moska vazhdon të nxisë konfliktin në Ukrainën lindore duke ofruar mbështetje financiare dhe ushtarake për separatistët. Ajo po përpiqet gjithashtu të krijojë një pretekst për të sulmuar më tej Ukrainën,” tha ai.

“Kjo minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dobëson përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit dhe shkel Marrëveshjet e Minskut, në të cilën Rusia është palë”, tha zoti Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri britanik Boris Johnson tha se njohja nga Moska e pavarësisë së rajoneve separatiste të Ukrainës lindore, është një shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Zoti Johnson po fliste, ndërkohë që zoti Putin nënshkroi dekretin për njohjen e tyre.

“(Ky veprim) është qartazi në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës”, tha zoti Johnson në një konferencë shtypi.

“Është një refuzim i procesit të Minskut dhe marrëveshjeve të Minskut, dhe mendoj se është një ogur shumë i keq dhe një sinjal shumë i zymtë”, tha ai.

Kryeministri britanik tha se do të bisedojë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensk të hënën dhe do të ofrojë mbështetjen e Britanisë.

Më herët Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar për sanksione nga blloku me 27 vende nëse Moska aneksonte ose njihte rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

“Nëse ka njohje, unë do të vendos temën e sanksioneve në tryezë dhe ministrat do të vendosin,” tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas një takimi të ministrave të jashtëm.

Në fillim të kësaj jave, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thanë se ShBA-ja dhe aleatët nuk ishin plotësisht në një mendje se si të përgjigjeshin në rast të rritjes së mbështetjes për separatistët pro-rusë.

Go to TOP