Edhe ministria e Haxhiut refuzon të përgjigjet për koston e punëtorisë së SHKK-së që u mbajt në Durrës

Përveç Shërbimit Korrektues të Kosovës, edhe Ministria e Drejtësisë ka refuzuar të përgjigjet për koston e punëtorisë së organizuar nga SHKK-ja, që u mbajt për tre ditë me radhë në Durrës së Shqipërisë. Përveç që nuk kanë treguar se sa u kushtoi, nga MD s’janë përgjigjur as për arsyen se pse një trajnim i tillë s’është mbajtur në Kosovë.

Përgjigja e dërguar në adresë të Sinjalit është e njëjta me atë të SHKK-së, ku vetëm konfirmohet se një punëtori e tillë është mbajtur dhe është treguar tematika.
“Është mbajtur punëtori me menaxherët e kontratave, me qellim të përmbushjes së detyrimeve ligjore, të cilat janë përcaktuar me Rregullat dhe Udhëzuesin për Prokurim (RrUOP) dhe përmirësimit të procesit të administrimit të menaxhimit të kontratave publike, nga e secilit menaxher.

Në Punëtori është diskutuar mbi “Modulin për Menaxhimin e Kontratës” dhe “Moduli për Vlerësim te Përformancës se Kontraktuesve”, të cilat duhet të përdoren në pajtueshmëri të plote me nenin 61 të RrUOP.

Kjo punëtori ka për qëllim pëmirësimin e menaxhimit të kontratave përmes sistemit elektronik të prokurimit.”

Sinjali raportoi se rreth 40 zyrtarë të SHKK-së kanë ‘zbarkuar’ në hotelin Royal G në Durrës, në emër të një trajnimi tre ditor. Në mesin e tyre, Sinjali mëson se ka edhe zyrtarë ndaj të cilëve janë iniciuar procedura disiplinore.

Ky trajnim që po zhvillohet jashtë vendit, e që më shumë ngjason me ‘ekskursion’, ka pasur mundësi të mbahet edhe në Kosovë, pasi ka hotele e resorte të mjaftueshme ku mund të mbahen punëtoritë e tilla, por siç duket kjo nuk ia ka mbushur syrin SHKK-së dhe kanë marrë rrugën për në Shqipëri.

Sinjali ka siguruar edhe listën me emrat e të gjithë zyrtarëve që po marrin pjesë në këtë trajnim, në mesin e të cilëve ka zyrtarë nga Burgu i Sigurisë së Lartë, nga Qendrat Korrektuese në Lipjan, Gjilan, Smrekonicë e nga Qendra Operative.


Sinjalizues të Sinjalit kanë bërë të ditur se trajnimi në emër të të cilit zyrtarët e këtij institucioni kanë shkuar në Durrës, ka pasur mundësi të mbahet edhe në hapësirat e institucioneve në kuadër të MD-së, që të mos shpenzohen mjetet nga buxheti.

Sinjali po ashtu mëson se janë shfrytëzuar edhe disa vetura zyrtare për transport, e në mesin e tyre mund të jenë edhe së paku dy automjete për transportimin e të burgosurve (informacion ky që mbetet për t’u konfirmuar).

Ndryshe, në vitin 2020, Qeveria Hoti pati marrë vendim që të ndalohet organizimi i punëtorive jashtë vendit, të cilat zhvilloheshin nga ministrisë, agjencitë dhe njësitë e tjera brenda sistemit ministror.

Go to TOP