LBK kërkon reagim urgjent për dëmet nga breshëri: Fermerët kanë nevojë për kompensim, jo deklarata
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet pas dëmeve të mëdha të shkaktuara në sektorin e bujqësisë nga reshjet e breshrit në disa zona të vendit.
Përmes një reagimi publik, LBK shpreh shqetësimin për pasojat që kanë pësuar fermerët, prodhuesit vendorë dhe ekonomitë familjare duke theksuar se bujqësia është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës dhe kërkon mbështetje të menjëhershme.
LBK u bën thirrje kryetarëve të komunave dhe Qeverisë së Kosovës që të angazhohen menjëherë në terren për vlerësimin e dëmeve, të krijojnë komisione profesionale për evidentimin e pasojave dhe të sigurojnë mbështetje financiare për fermerët e prekur.
“Në këto momente fermerët nuk kanë nevojë për deklarata politike, fotografi në terren apo garë mediatike, por për kompensim të dëmeve dhe veprime konkrete institucionale”, thuhet në reagimin e LBK-së.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës thekson se institucionet duhet të tregojnë përgjegjësi duke ndarë mjetet e nevojshme për të ndihmuar fermerët që kanë humbur investimet dhe mundin e një viti të tërë, ndërsa rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe forcimin e mbështetjes për sektorin e bujqësisë. /Kosova.info/
