Partia e Le Pen në Francë me drejtues të ri

Jordan Bardella do të zëvendësojë Marine Le Pen në drejtimin e partisë së ekstremit të djathtë në Francë.

Le Pen do të fokusohet në drejtimin e grupit të partisë në parlament, pasi ajo mori 89 vende në Asamblenë Kombëtare në fillim të këtij viti.

Kjo shënon herën e parë në historinë e saj 50-vjeçare që partia kryesore e ekstremit të djathtë nuk është udhëhequr nga një Le Pen.

Por kjo lëvizje nuk shënon një ndryshim të madh në drejtim të partisë. Marine Le Pen, mbetet burimi i fuqisë reale dhe ajo është ende kandidatja e mundshme në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2027.

Ajo i tha partisë të shtunën se nuk po largohej nga politika.

“Unë nuk po largohem nga RN për të bërë pushime. Do të jem atje ku vendi ka nevojë për mua,” tha ajo në kongresin e partisë.

I rritur në një familje të varfër me origjinë italiane në periferi të Parisit, Bardella iu bashkua ekstremit të djathtë si adoleshent dhe u ngjit shpejt në krye të partisë, duke u bërë presidenti i saj në detyrë vitin e kaluar.

Ai e drejtoi fushatën e suksesshme të zgjedhjeve evropiane të RN-së në vitin 2019, dhe që atëherë ka impresionuar edhe rivalët e tij me këmbënguljen e tij në debate, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Go to TOP