Për herë të parë Kosova po merr pjesë në Kongresin Klinik të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve
Sivjet, për herë të parë, Kosova përmes Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, po merr pjesë si e barabartë me shtetet tjera në Kongresin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, dhe po përfaqësohet nga Kryetari i saj, Prof. Dr. Rifat Latifi.
Gjatë ceremonisë së hapjes, që po mbahet në këto momente në San Diego, Kaliforni, e cila është ngjarje impozante me porosinë qendrore “Të shërojmë të gjithë, me aftësi dhe besim” po bëhet edhe pranimi i 2355 anëtarëve të ri në ACS.
Jemi tejet të nderuar që Kolegji i Kirurgëve të Kosovës është pjesë e kësaj ngjarjeje madhështore, duke qenë se Kongresi i rregullt vjetor i ACS-së është ngjarja më e rëndësishme e organizatës lidere në botë në fushën e kirurgjisë. Kolegji Amerikan i Kirurgëve është themeluar në vitin 1913, gjersa ka udhëhequr rrugën dhe ka vendosur standardet për kujdesin cilësor të pacientëve në spitalet dhe praktikat kirurgjikale në mbarë botën.
Motoja e Kongresit të sivjetmë është “Kirurgët Mbjellin Shpresën”, dhe me këtë rast Kongresi Klinik po ofron mundësi të jashtëzakonshme arsimore për çdo fazë të karrierës së kirurgëve – të gjitha në një vend:
– Ligjërata nga ekspertë të shquar botërorë,
– Prezantime të procedurave dhe kërkimeve novatore, dhe
– Rrjetëzim mes kolegëve nga e gjithë bota, ku fitohen njohuri dhe aftësi klinike dhe jo-klinike që mund të zbatohen menjëherë në praktikë. /Kosova.info/
