Portugalia në çerekfinale me fitore bindëse

Ka përfunduar Kampionati Botëror për Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën. Dy shqiptarët e Zvicrës kanë pasur vështirësi për të shfaqur shumë në ndeshjen ndaj Portugalisë. Portugalia dominoi plotësisht në fushë dhe me fitore të thellë, 6:1, avancoi në çerekfinale të Kupës së Botës në Katar.

Ishte kjo ndeshja e fundit e një të tetës së finales, që u zhvillua të martën mbrëma në “Lusail Stadium”.

Portugalia luan me Marokun në çerekfinale, më 10 dhjetor.

Goncalo Ramos ka udhëhequr Portugalinë drejt fitores së thellë. Ai shënoi “hat-trick” në ndeshjen me helvetikët. Ishte tregolëshi i parë në Kupën e Botës në Katar dhe i 53-ti në histori të ngjarjes.

Ramos shënoi për 1:0 në minutën e 17-të. Ishte supergol, me goditje nga pozitë shumë e vështirë. Ai shënoi gol tjetër në minutën e 51-të, ndërsa “hat-trickun” e kompletoi në minutën e 67-të. Pepe shënoi për 2:0 në minutën e 33-të, ndërsa Raphael Guerreiro shtoi gol tjetër në minutën e 55-të. Fare në fund realizoi edhe Rafael Leao.

Golin e vetëm për Zvicrën e shënoi Manuel Akanji në minutën e 58-të. Kështu vazhdon pritja e gjatë e Zvicrës për paraqitje në çerekfinale. Shaqiri e Xhaka kompletuan ndeshjen, kurse në fund u aktivizua edhe Ardon Jashari, për të cilin është debutim në Kupën e Botës.

Portugalia ka zënë vend në mesin e tetë përfaqësueseve më të mira dhe synon të shkojë deri në fund.

Cristiano Ronaldo është lënë në stol në ndeshjen ndaj Zvicrës. Ai u aktivizua vetëm në minutën e 73-të, pasi tifozët thirrën disa herë emrin e tij.

Go to TOP