Portugalia fiton me lehtësi ndaj Turqisë, kalon në 1/8 e finales

Portugalia ka shënuar fitore të lehtë përballë Turqisë në ndeshjen e Grupit F të zhvilluar në Dortmund, duke fituar me rezultat 3:0 dhe duke siguruar kualifikimin në 1/8 e finales të Euro 2024.

Ndeshja nisi me dominim të portugezëve, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 22-të me një gol të Bernardo Silvas. Ylli i Manchester Cityt shënoi pas një aksioni të mirë të ekipit të tij dhe reagimit jo të mirë të mbrojtjes turke.

Momente dramatike për turqit dhe komike për tifozët ndodhën pak më vonë kur mbrojtësi turk, Samet Akaydin, realizoi një autogol qesharak. Pasi dështoi një kundërsulm i portugezëve, Akaydin tentoi të kthente topin te portieri i tij, por pa e vënë re se ai e kishte braktisur portën, duke dërguar topin në rrjetë.

Portugalia e nisi mirë edhe pjesën e dytë dhe në minutën e 56-të shënoi golin e tretë. Cristiano Ronaldo iu shmang pozitës jashtë loje dhe doli i vetëm përballë portierit turk. Në vend që të godiste vetë, ai asistoi për Bruno Fernandesin, i cili shënoi lehtësisht për 3:0, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes.

Kjo fitore ia siguroi kualifikimin e Portugalisë në fazën e 1/8 të finales së Euro 2024, ndërsa Turqia tani do të jetë e përqendruar në duelin e fundit përballë Çekisë.

Go to TOP