Portieri i Zaragoza dënohet me 13 ndeshje pas grushtimit të kundërshtarit
Portieri i Real Zaragoza, Esteban Andrada, është dënuar me trembëdhjetë ndeshje pezullim nga Federata Spanjolle e Futbollit, pas grushtimit të lojtarit kundërshtar gjatë derbit ndaj Huesca.
Sipas vendimit të Komisionit disiplinor, Andrada fillimisht është përjashtuar me karton të kuq dhe më pas e ka sulmuar mbrojtësin Jorge Pulido në minutat shtesë të ndeshjes së zhvilluar të dielën.
Portieri argjentinas ka marrë dymbëdhjetë ndeshje dënim për goditjen me grusht, ndërsa kartoni i kuq ka sjellë automatikisht edhe një ndeshje tjetër pezullim. Kjo do të thotë se sezoni për të ka përfunduar dhe Zaragoza humb një lojtar të rëndësishëm në luftën për mbijetesë.
Tridhjetë e pesë vjeçari është huazim nga klubi meksikan Monterrey.
Pas ndeshjes, ai ka kërkuar falje publike për sjelljen e tij.
“Jam shumë, shumë i penduar për atë që ndodhi. Nuk është imazh i mirë për klubin, tifozët dhe sidomos për një profesionist si unë”, ka deklaruar Andrada.
Në incident ishin përfshirë edhe lojtarë të tjerë. Portieri i Huescas, Dani Jimenez, është dënuar me katër ndeshje, ndërsa lojtari i Zaragoza, Dani Tasende, me dy ndeshje.
Ndeshja kishte përfunduar me fitore 1-0 për Huesca.
