Policia në Shqipëri ua anulon pushimet efektivëve: Na duheni të gjithë për sezonin turistik

Policia në Shqipëri ka anuluar lejet vjetore të planifikuara të efektivëve të policisë për periudhën e sezonit turistik 2024.

Sipas urdhrit më të fundit të firmosur nga drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, anulimi i pushimeve bëhet me qëllim përballimin e shërbimeve të planifikuara nga strukturat e Policisë së Shtetit për sezonin veror 2024.

“Të anulohen pushimet vjetore të planifikuara të vitit 2024, në periudhën nga data 20 qershor 2024 deri në datën 15 shtator 2024, për të gjitha strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, të cilat ngarkohen me detyra për sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik veror“, thuhet në urdhër.

Sipas dokumentit, drejtuesit e strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, si dhe të strukturave të veçanta duhet të riplanifikojnë kryerjen e pushimeve vjetore të punonjësve të policisë që për periudhën e mbetur deri në fund të vitit kalendarik 2024.

Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen drejtuesit e drejtorive vendore të policisë, drejtorive vendore të kufirit dhe migracionit, komisariateve të policisë dhe strukturave të veçanta.

Go to TOP