Policia largon protestuesit nga selia e PD-së

Policia e Shqipërisë ka larguar protestuesit, që po tentonin të hynin në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit, mbështetës të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha, të cilët tentuan që të hynin në selinë e partisë.

Aktualisht selia e PD-së është e rrethuar nga njësitet e policisë ndërkohë që dhjetëra protestues po kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e rënies në kontakt me gazin lotsjellës.

Policia tha se ndërhyrja u bë me kërkesë të një grupi të deputetëve të Partisë Demokratike “të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit”, u tha në njoftim.

Sali Berisha thirri të shtunën një protestë për të marrë kontrollin e ndërtesës së partisë, ku po qëndron kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë, raporton Zëri i Amerikës (VOA).

Dera kryesore e selisë u hap me forcë nga protestuesit, përpara orës 12:00 e cila është ora në të cilën ishte thirrur protesta. Xhamat e saj janë thyer, por protestuesit u ndalën në pjesën e hollit, ku mesa duket u gjendën përpara një tjetër porte të cilën nuk kanë mundur ta hapin.

Në fillim të protestës, ish-lideri i PD-së, Sali Berisha ka folur para mediave duke kërkuar qetësi nga mbështetësit e tij që janë tubuar para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.

“Ruani qetësinë. Kjo është fytyra e vërtetë kriminale e Lulzim Bashës”, ka deklaruar Berisha në një prononcim para gazetarëve.

“Lulëzim hiq dorë nga dhuna”, ka bërë thirrje Berisha duke e quajtur tubimin protestë paqësore.

Më herët anëtari i kryesisë, Roland Bejko nuk u lejua të hyjë në seli. Që në oborrin e selisë ai u bë objekt fyerjesh, si dhe sulmesh fizike, duke u detyruar të kthehet pas.

Mbështetësit e ish-kryeministrit e pritën me brohoritje këtë të fundit kur ai mbërriti në oborrin e selisë qendrore të partisë. Berisha përsëriti dhe sot se kjo është një protestë paqësore, por situata duket tejet e ndezur.

Ka pasur edhe hedhje gazi lotjsellës në selinë e PD-së nga mbështetësit e Bashës, ndërsa disa protestues po tentojnë që të arrijnë në katin e dytë të ndërtesës.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bëri thirrje për shmangien e akteve të dhunës, “provokimeve dhe tensioneve të panevojshme”.

“Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend”, tha presidenti Meta, teksa shtoi se është e rëndësishme që protesta para selisë së PD-së të zhvillohet në mënyrë paqësore.

Ndërkombëtarët dënojnë dhunën para selisë së PD-së

Mbi gjendjen e krijuar ka reaguar ambasadorja amerikane Yuri Kim. Në një postim në Twitter ajo shkroi se: “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për rritjen e tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës nga protestuesit. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të veprojnë qetësisht. Ata që nxisin dhunën ose minojnë sundimin e ligjit do të mbahen përgjegjës”.

Dhunën para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë, e ka dënuar edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.

“Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar nga përdorimi i forcës nga protestuesit në selinë e PD-së. I bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin dhunën. Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, proceseve politike dhe ligjore, në interes të popullit shqiptar, jo interesave të ngushta individuale”, thuhet në reagim.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dënuar dhunën pranë selisë së Partisë Demokratike Shqiptare duke bërë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje.

“Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë. Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm”, thuhet mes tjerash në reagimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

“Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në agjendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE”, thuhet më tej në reagim.

Protesta e sotme shënon kulmin e një lëvizje që Berisha ndërmori ndaj kryetarit Basha, pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar, për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara që e shpallën non grata ish-kryeministrin.

Më 18 dhjetor 2021, Berisha inicioi një referendum, përmes së cilit u tha se Basha “u shkarkua” nga kreu i PD-së.

Ndryshe, Sali Berisha dhe anëtarë të familjes së tij u shpallën persona “non grata” nga Shtetet e Bashkuara në maj të vitit 2021.

SHBA-ja tha se Berisha ishte përfshirë në korrupsion të gjerë.

Go to TOP